Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha sot se ekziston një mundësi e jashtëzakonshme në muajt në vijim që Izraeli të integrohet në Lindjen e Mesme, pasi sipas tij vendet arabe janë të gatshme të normalizojnë lidhjet me vendin.
Duke folur në një panel në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Blinkeni theksoi gjithashtu domosdoshmërinë “urgjente” për të vazhduar me një shtet palestinez që sipas tij do të siguronte gjithashtu sigurinë e Izraelit.
“Pothuajse çdo vend arab tani dëshiron të integrojë Izraelin në rajon, të normalizojë marrëdhëniet nëse nuk e kanë bërë tashmë këtë, të sigurojë garanci dhe angazhime sigurie në mënyrë që Izraeli të ndihet më i sigurt”, tha ai.
“Në të njëjtën kohë, janë duke u zhvilluar përpjekje të vërteta, të udhëhequra nga vendet arabe, për të reformuar, rigjallëruar rinovimin e Autoritetit Palestinez në mënyrë që ai të mund të jetë më efektiv në përfaqësimin e interesave të popullit palestinez dhe mund të jetë një partner më i mirë për Izraelin në atë të ardhme”, shtoi Blinken.
Duke folur gjithashtu në Mynih të shtunën, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se për të vendosur një zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe palestinezët, duhet të ketë një garanci se diçka si sulmet e 7 tetorit nga Hamasi nuk mund të ndodhë më kurrë, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.