Rënia e numrit të çifteve që martohen ka prekur rëndë këtë industri
Momenti më i bukur për një çift është dita e dasmës. Ata kurorëzojnë dashurinë e tyre dhe janë pranë njerëzve më të dashur që i kanë shoqëruar në rrugën e gjatë të jetës, në ditë të mira dhe të vështira.
Për këtë arsye ajo ditë duhet të jetë perfekte, ku asgjë nuk duhet të mungojë. Por dita e dasmës nuk është e rëndësishme vetëm për çiftin dhe të afërmit e tyre, por edhe për ata që merren me organizimin e tyre.
Kështu, rënia e numrit të dasmave në Kinë ka prekur rëndë kompanitë që merren me organizimin e tyre e rrjedhimisht edhe punonjësit në këtë sektor.
Yuan Jialiang ka qenë një organizuesh dasmash në Shangai për rreth një dekadë, por para pandemisë së Covid-19 ai vendosi të merrte një tjetër drejtim duke u bërë fotograf.
Ai shpjegon për agjencinë e lajmeve Reuters se pse vendosi t’i jepte jetës së tij një kthesë tjetër.
“Në procesin e kalimit nga një organizator në një fotograf dasmash , fillova të kuptoj se kërkesat e çifteve për foto, por edhe video nuk do të ndryshojnë kurrë. Pavarësisht se si ndryshon formati i dasmës, pavarësisht se si ndryshon organizimi i tyre, çiftet ende do të kërkojnë që ta mbajnë mend këtë ditë të rëndësishme. Kështu që kuptova se mora drejtimin e duhur në karrierë. Dita e dasmës është një kujtim i përjetshëm për ta, dhe besoj se të gjithë do të zgjedhin ta dokumentojnë atë.
Ai shpjegon se trendi i rënies së dasmave do të vijojë edhe në të ardhmen.
“I gjithë mjedisi ka kontribuar në faktin që industria e dasmave të mos jetë shumë e begatë. Ky është një fakt. Po të përmendim rënien e shkallës së përgjithshme të marteseve në Kinë, ndryshimin e konceptin për martesën, kjo për mendimin tim shton sfidat e së ardhmes dhe për të gjithë ata të rinj profesionistë që duan të punojnë në këtë industri. Shpresoja për një rimëkëmbje të industrisë, por tani jam më shumë i shqetësuar sesa optimist për të ardhmen.”
Yuan por edhe të tjerë që punojnë në industrinë e dasmave, kanë vënë re një ulje të numrit të kërkesave të çifteve që zgjedhin të kurorëzojnë lidhjen e tyre të dashurisë në martesë.
Problemet ekonomike po ndikojnë në planet e çifteve të reja për t’u martuar por edhe për të pasur fëmijë. Kjo shton edhe më tej problemet në një nga shoqëritë që po plaket më shpejt në botë.
Vitin e kaluar ka patur 8 milionë martesa në të gjithë Kinën më pak se në vitin 2021 ,shifra më e ulët që kur qeveria filloi regjistrimin e të dhënave në vitin 1986,.
Por rënia e numrit të martesave ka prekur rëndë një sektor të tërë. Shumë dasma në Kinë u shtynë për vitin e kaluar për shkak të pandemisë së Covid-19, duke bërë që ky sektor këtë vit të ishte shumë i ngarkuar .
Jewel Wang, pronar i një rrjeti dyqanesh për fustane dasmash në të gjithë Kinën, thotë se kërkesa për marka të shtrenjta si Vera Wang, Oscar de la Renta dhe Carolina Herrera u rrit ndjeshëm gjatë muajit Qershor. Megjithatë ai vë në dukje se çiftet kohët e fundit po zgjedhin të shpenzojnë më pak për ditën e tyre të dasmës.
“Covid-19 pati një ndikim kaq të madh në jetën e të gjithëve. Si treg ne shohim një rënie drastike të shpenzimeve.”
Covid-19 goditi rëndë këtë industrri, por shprehja e famshme e industrisë së eventeve në vitin 2020, “dashuria nuk anulohet”, bëri thirrje për çiftet që të martoheshin në momentet e rihapjes dhe të bënin një festë madhështore për më vonë.
Në fakt, shumë çifte e shtynë vendimin për t’u martuar për një moment të dytë, një pjesë fare e vogël e anuluan tërësisht dhe pjesa e mbetur vendosën që në vend të dasmave të mëdha të organizonin një event familjar me pak persona.
Gjithnjë e më shumë po preferohen dasmat e limituara në numër të ftuarish dhe po kthehet vëmendja te detajet dhe tek një seti fotografik të mirëkuruar.
Edhe ato çifte të reja të cilët e duan luksin dhe të bukurën po zgjedhin po ashtu ti përqendrojnë shpenzimet tek vetja dhe më pak te dekori.
Për Ben Cavender, drejtor i kompanisë China Market Research Group thotë se vetëm një ekonomi më e fortë mund të ngadalësojë trendin rënës të dasmave.
“Ka shumë të rinj që thonë ‘ndoshta martesa nuk është gjëja e duhur për mua’ kështu që mendoj se kjo është një gjë që atyre ju vjen natyrshëm. Mendoj se problem tjetër ka të bëjë edhe me demografinë e Kinës. Rënia e numrit të lindjve është një realitet tani sepse shumë të rinj në Kinë mendojnë se rritja e fëmijëve ka kosto të lartë dhe ata mendojnë se qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për të ofruar lehtësira për ata që duan të kenë fëmijë.”
Zyrtarët kinezë ia atribuojnë rënien e dasmave rënies së numrit të personave në moshë martese, për shkak të politikës së një fëmije, një strategji e qëllimshme e prezantuar në vitin 1979 për të kontrolluar popullsinë e Kinës.
Por demografët kanë paralajmëruar prej vitesh për një krizë të afërt të popullsisë. Në vitin 2014, popullsia në moshë pune e vendit filloi të tkurret për herë të parë në më shumë se tre dekada, duke alarmuar liderët kinezë.
Vitin që pasoi, qeveria kineze njoftoi përfundimin e politikës së një fëmije, duke i lejuar çiftet të kenë dy fëmijë. Ligjet e reja kanë hyrë në fuqi më 1 Janar 2016, por gjithsesi si martesat ashtu edhe lindshmëria kanë rënë.
Rënia e martesës nuk është unike vetëm në Kinë. Në të gjithë globin, normat e martesave kanë rënë gjatë dekadave të fundit, veçanërisht në vendet më të pasura perëndimore.
Vetëm ndryshimet demografike nuk e shpjegojnë rënien drastike të shkallës së martesave në Kinë. Gratë po bëhen më të arsimuara dhe ekonomikisht më të pavarura. Por traditat patriarkale atje ende vijonë. Në Kinë, shumë burra ende presin që gratë të kryejnë pjesën më të madhe të kujdesit për fëmijët dhe punët e shtëpisë pas martesës, edhe nëse ato kanë një punë me kohë të plotë.
Koncepti i bashkëjetesës, por edhe mundësia për të bërë abort, u ka mundësuar të rinjve të gëzojnë marrëdhënie romantike jashtë institucionit ligjor të martesës.
Ata e shohin martesën si një shprehje të lidhjes së tyre emocionale, dhe jo më një mënyrë e vetme për të lënë pas pasardhës. Jo vetëm kaq, sipas psikologëve kinezë për shumë familje, blerja e një shtëpie është një parakusht për martesë.
Por shumë çifte të rinj thjesht nuk kanë para për të paguar për një pronë të shtrenjtë dhe jo çdo prind ka kursime të mjaftueshme për ti ndihmuar ata. Sociologët shpjegojnë se sistemi social dhe i mirëqenies në Kinë është ndërtuar në atë mënyrë që të pasurit një shtëpi është bërë pothuajse vendimtare për çiftet që kërkojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.
Por presioni financiar nuk po ndihet vetëm në qytete pasi edhe në zonat rurale, familjet e djalit duhet t’i paguajnë një “çmim familjes së nuses” zakonisht në formën e një shume të madhe parash, ose një shtëpi. Praktika ka ekzistuar në Kinë prej shekujsh, por kostot janë rritur në dekadat e fundit.
Por ajo çfarë thonë statistikat është se të dyja gjinitë po e vonojnë martesën. Nga viti 1990 deri në vitin 2016, mosha mesatare për martesë u rrit nga 22 në 25 vjeç për gratë dhe nga 24 në 27 për burrat .
Me një krizë të afërt të popullsisë në horizont, qeveria kineze ka prezantuar një sërë politikash për të nxitur çiftet të kenë fëmijë.
Klan News