Bisedë telefonike Kovaçevski – Trudeau

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, përcjell KlanM.

Kryeministri Kovaçevski, siç thonë nga qeveria, ka shprehur kënaqësinë që ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Jolie, sot po viziton Maqedoninë, e cila flet për dialogun aktiv dhe të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve.

“Në bisedë u trajtuan disa tema që synojnë thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin brenda NATO-s dhe skenën shumëpalëshe. Kryeministri Kovaçevski theksoi se interesi afatgjatë i Maqedonisë së Veriut është zhvillimi i përgjithshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Kanadanë, e cila që nga fillimi i pavarësisë sonë ka treguar mbështetje aktive për reformat, integrimet evropiane dhe euroatlantike të vendit”, thonë nga qeveria.

Ndërkaq, kryeministri kanadez Trudeau, siç thuhet, ka shprehur kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në NATO, veçanërisht me pjesëmarrjen e ushtarëve maqedonas në grupin luftarak për një prani të përforcuar përpara në Letoni, i cili është nën komandën kanadeze.

“Bashkëpunimi ynë është i fortë në NATO, në BE dhe në Ukrainë, dhe unë e di se populli i Maqedonisë së Veriut e kupton se e ardhmja e vendit është e ndritshme si pjesë e demokracive të avancuara evropiane”, ka thënë kryeministri Trudeau, duke theksuar se “Maqedonia e Veriut mund të mbështetet gjithmonë te Kanadaja”./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share