Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se rreth 500 persona rezultojnë të zhdukur si pasojë e përmbysjes së anijes plot me emigrantë afrikantë dhe aziatikë në Greqi.
Zëdhënësi Jeremy Laurence deklaroi se një numër i madh grash dhe fëmijësh janë në mesin e të zhdukurve si pasojë e tragjedisë që la të vdekur 78 persona.
“Humbja e jetëve solli nevojën më shumë se asnjëherë për të nxjerrë para drejtësisë kontrabandistët e njerëzve”, shtoi Laurence.
Në një deklaratë të përbashkët me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin, agjencia e refugjatëve tha se çdo veprim kërkimi dhe shpëtimi duhet kryer për të parandaluar humbjet e jetës.
Përllogaritet që në anije të kenë qenë 750 emigrantë.
Ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë punën për gjetjen të mbijetuarve të tjerë. Peshkarexha e nisur nga Libia me destinacion Italinë, u fundos të mërkurën në det të hapur 80 kilometra larg brigjeve të qytezës greke Pilos. Kjo është tragjedia me më shumë viktima këtë vit në ujërat e Mesdheut./tvklan.al