Të paktën 50 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve masive të shkaktuara nga shirat e dendur në Afganistanin qendror. Autoritetet në provincën Ghor thonë se një numër i madh njerëzish raportohen të zhdukur, pasi njerëzit vrapuan drejt vendeve të sigurta në zona më të larta, vetëm pak minuta pasi përmbytjet e dendura të përfshinin shtëpitë e tyre.
Ata thonë se përmbytjet kanë vrarë gjithashtu mijëra bagëti, kanë shkatërruar rreth 2,000 shtëpi dhe kanë dëmtuar shumë të tjera. Zyrtarët thonë se në kryeqytetin e provincës, Firozkoh, rreth 2,000 dyqane janë nën ujë dhe shumica e rrugëve që të çojnë në të janë ndërprerë.
Departamenti i menaxhimit të fatkeqësive të provincës njoftoi situatën emergjente dhe bëri thirrje për strehim, ushqim dhe ujë. Sipas zyrtarëve të OKB-së dhe telebanëve, më shumë se 300 persona humbën jetën javën e kaluar pasi shirat e dendur shkatërruan shumë fshatra në veri të Afganistanit. Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar se numri i viktimave në përmbytjet e fundit mund të rritet pasi përpjekjet e shpëtimit janë penguar rëndë pa qasje në zonat e prekura.
Përmbytjet kanë lënë pjesën më të madhe të tokës bujqësore të mbuluar me baltë të dendur në një vend, ku 80% e më shumë se 40 milionë njerëzve varen nga bujqësia. Shiu i dendur ka ardhur pasi vendi përjetoi një periudhë të zgjatur thatësire në fillim të vitit. Analistët e klimës thonë se Afganistani është një nga vendet më pak të përgatitura për të trajtuar ndikimet e ndryshimeve klimatike.