Çmimi i naftës shënoi rënie për shkak të shenjave të uljes së kërkesës së konsumatorit të dytë më të madh në botë të naftës, Kinës, ndërsa kompania saudite e naftës Aramco tha se mund të rrisë prodhimin për shkak të pritjeve më të larta të kërkesës.
Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent u tregtua me 97,14 dollarë për fuçi sot në mëngjes, me një rënie prej 1,02 për qind nga çmimi i mbylljes me 98,15 dollarë për fuçi.
Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) ishte në 91,19 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë me një rënie prej 0,97 për qind, kurse çmimi i mbylljes ishte 92,09 dollarë për fuçi.
Të dhënat e Byrosë Kombëtare të Statistikave (NBS) treguan se qarkullimi ditor i naftës së papërpunuar në korrik të ekonomisë së dytë më të madhe në botë, Kinës, ra në nivelin më të ulët që nga marsi 2020.
Duke sinjalizuar një dobësim të kërkesës, qarkullimi i naftës së papërpunuar të Kinës ka rënë me 8,8 për qind në 53,21 milionë tonë, ose 12,53 milion fuçi në ditë në krahasim me të njëjtin muaj në 2021.
Kina gjithashtu regjistroi rritje më të ngadaltë nga sa pritej të prodhimit industrial dhe shitjeve me pakicë, duke sugjeruar se politika zero-COVID po dobëson kërkesën e konsumatorëve.
Prodhimi industrial i Kinës tregoi rritje në bazë vjetore prej 3,8 për qind në korrik, që ishte më i dobët nga vlerësimi i tregut prej 4,6 për qind, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave.
Megjithatë, kompania shtetërore saudite e naftës Aramco njoftoi të dielën se pret që kërkesa për naftë të vazhdojë të rritet për pjesën tjetër të dekadës, pavarësisht presioneve ekonomike në rënie mbi parashikimet afatshkurtra globale.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Amin Nasser tha se Aramco mund të rrisë prodhimin në 12 milionë fuçi në ditë në çdo moment nëse “paraqitet nevoja ose thirrje nga qeveria ose nga ministria e energjisë për të rritur prodhimin tonë”.
Pas raporteve se Irani ka rënë dakord për një marrëveshje mbi programin bërthamor të ndërmjetësuar nga Evropa për sigurimin e garancive përkatëse, shqetësimet për furnizim janë zbutur.