Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare

Çmimi i naftës bruto ra me më shumë se 3% në mesin e njoftimeve se grupi i G7-tës planifikon të vendosë një tavan mbi kuotimin e naftës ruse, ndërsa rezervat amerikane u mbushën më shpejt nga ç’e prisnin specialistët.

Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte gati 2.9 dollarë më i ulët se në mbylljen e shkëmbimeve të një dite më parë dhe ne fund, u pozicionua në 85.41 dollarë për fuçi.

Në tregun amerikan një fuçi u tregtua me 3,7% më pak, çka e çoi çmimin në 77.94 dollarë për fuçi. Rezervat e benzinës në SHBA u rritën me 3 milionë fuçi, duke kapërcyer disa herë parashikimin e analistëve për një rritje prej 383 mijë fuçish.

“Kjo që ndodhi me benzinën ishte gati shokuese”, thotë Phil Flynn i grupit Price Futures. “Një rritje e tillë e furnizimit sugjeron se ndoshta jemi duke parë një dobësim të kërkesës ose se benzina po vuan tani përpara festave”, shtoi ai.

Çmimet u goditën akoma edhe më shumë nga raportet se kufiri i çmimit të naftës ruse të planifikuar nga grupi G7 duhet të jetë më i lartë se çmimi aktual i saj i tregut.

Grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara të botës dëshiron të kufizojë çmimin e një fuçi nafte ruse të dorëzuar nga anijet në nivelin e 65-70 dollarë, sqaroi një zyrtar europian.

Në tregun e Europës Veriperëndimore, një fuçi nafte ruse Urals aktualisht qëndron në 62 deri në 63 dollarë, dhe në tregun mesdhetar, është rreth 67 deri në 68 dollarë, sipas të dhënave të Refinitiv. Ekspertë të Thesarit amerikan pohuan se ky kufi ka të ngjarë të rregullohet disa herë në vit.

Në luhatjet e çmimit duket se ndikuan dhe shqetësimet e lidhura me kërkesën nga Kinë, importuesja më e madhe e naftës së papërpunuar e cila po përballet me një shpërthim të ri të infeksioneve të Covid 19-tës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share