Biden vijon fushatën – Demokratët mund ta detyrojnë presidentin amerikan të largohet

Presidenti amerikan vijon fushatën e tij pavarësisht thirrjeve për tërheqje. Ai deklaroi se nuk do të tërhiqet dhe e cilësoi Trump një kërcënim serioz për vendin. Nga ana tjetër demokratët mund ta detyrojnë Biden të largohet sipas nenit 25 që parashikon zëvendësimin e tij.

E teksa kërkon të rigjallërojë fushatën e tij presidenciale mes largimit të shumë donatorëve, presidenti amerikan Joe Biden në një tubim në Michigan u shpreh se nuk do të shkojë askund.

Ai  tha para mbështëtësve se nuk do të largohej nga gara dhe paralajmëroi se ish-presidenti Donald Trump përfaqëson një rrezik serioz.

“Ju ndoshta keni vënë re se ka pasur shumë spekulime kohët e fundit. Çfarë do të bëjë Joe Biden ? A do të qëndrojë në garë? Po. Unë jam duke kandiduar dhe ne do të fitojmë”, tha Biden.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se “Projekti 2025”, një platformë politikash konservatore që do të përpiqej të zvogëlonte së tepërmi qeverinë federale, përbënte një rrezik shumë real. Shumë prej demokratëve mendojnë se ky është një projekt i lidhur me fushatën e Trump i cili synon t’a zbatojë nëse rizgjidhet.

Zëdhënësi i fushatës së Biden Michael Tyler u shpreh se fondet u rritën në shtatë herë më shumë se niveli i zakonshëm. Ndërkaq zërat për tërheqje të tij janë rritur pasi dy ligjvënës të tjerë i kërkuan atij të tërhiqej nga kandidimi. Të paktën 19 ligjvënës i kanë kërkuar presidentit Biden të largohet në mënyrë që Partia Demokrate të mund të zgjedhë një kandidat tjetër.

Njëra mënyrë për t’a zëvendësuar është përdorimi i nenit të 25-të të Kushtetutës amerikane. I propozuar në vitin 1965 nga Senatori Birch Bayh dhe i ratifikuar dy vjet më pas, neni i 25-të përmban katër seksione.

Seksioni i parë përsërit nenin e dytë të kushtetutës, kur nënpresidenti mund të bëhet president i ri i vendit dhe mund të marrë plotësisht kompetencat në cilësinë e ushtruesit të detyrës. Seksioni i dytë krijon një procedurë për zëvendësimin e nënpresidentit, që parashikon emërimin e tij nga Presidenti dhe miratimin e kandidaturës së tij nga dy dhomat e Kongresit.

Seksioni tretë i lejon një presidenti të deklaronte paaftësinë për të qeverisur, duke njoftuar zyrtarisht udhëheqësit e Kongresit, dhe duke transferuar përkohësisht kompetencat dhe detyrat e tij në duart e nënpresidentit dhe në seksionin e katërt është pjesa më e ndërlikuar e nenit të 25-të, në të cilin përcaktohet se kush tjetër përveç vetë presidentit mund ta shpallë presidentin të paaftë për të kryer detyrat zyrtare.

Kongresi gjithashtu ka fjalën e fundit nëse presidenti e kundërshton deklaratën dhe këmbëngul se është i aftë për të qëndruar në detyrë, duke patur të drejtën që me dy të tretat e votave të përcaktojë nëse presidenti është me të vërtetë i paaftë për të qeverisur. Ky seksion është i ngjashëm me procesin e ngritjes së akuzave për shkarkimin e një presidenti në detyrë. Por ndryshe nga procesi i shkarkimit, seksioni i katërt i nenit të 25-të të Kushtetutës amerikane lejon vetëm që një president të pezullohet dhe jo të shkarkohet nga detyra, ndërsa nënpresidenti bëhet president në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share