Presidenti amerikan, Joe Biden, ka informuar liderët e grupit të shtatë shteteve më të industrializuara, se Uashingtoni do të mbështesë dërgimin e aeroplanëve të avancuar luftarakë F-16 në Ukrainë dhe do të përkrahë përpjekjet për të trajnuar pilotët e Kievit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat amerikane që citojnë një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.
Ky qëndrim dërgon sinjal të rëndësishëm të Kievit, i cili vazhdimisht e ka kërkuar përkrahjen e Perëndimit për sigurimin e aeroplanëve luftarakë, teksa e lufton pushtimin rus. Më herët, udhëheqësit e G7 ranë dakord të ashpërsojnë sanksionet kundër Rusisë dhe premtuan mbështetje financiare për Ukrainën.
Në mesin e sanksioneve të vendosura në samitin e Hiroshimës, përfshihen eksportet e makinerive industriale, veglave dhe teknologjive të tjera që Rusia përdor për të vijuar luftën e saj në Ukrainë. Liderët thanë se duhen shtuar përpjekjet për kufizimin e të ardhurave ruse nga tregtia e saj me metalet dhe diamantet.
Ndryshe nga samitet e tjera kur presidenti i Ukrainës ka folur me video-konferencë këtë herë Volodymyr Zelensky do të jetë i pranishëm në samit, të dielën.
Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, deklaroi se pjesëmarrja e tij është absolutisht e rëndësishme për mbrojtjen e interesave të Ukrainës.
Zelensky ndodhet në një vizitë në Arabinë Saudite. Ky shtet i ka rezistuar qasjes së Perëndimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, me të cilën ka mbajtur marrëdhënie të mira duke ruajtur pozicionin neutral në konflikt. Kryeministri japonez, Fumio Kishida tha se zgjodhi Hiroshimën për zhvillimin e samitit si mesazh kundër posedimit të armëve bërthamore nga Rusia.
Klan News