Shtëpia e Bardhë: Nuk synojmë luftë me Iranin
Presidenti amerikan Xho Bajden paralajmëron se hakmarrja e Shteteve të Bashkuara për vrasjen e 3 ushtarëve amerikanë në një sulm me dronë në Jordani është gati.
Gazetarëve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, Bajden nuk u dha detaje se si do të hakmerret Uashingtoni, por dha arsyen pse e drejton gishtin e përgjegjësisë nga Irani.
“I bëj përgjegjës ata si furnizues me armë të njerëzve që e kryen sulmin.“
Ndërsa Xhon Kërbi, një prej zëdhënësve të Shtëpisë së Bardhë, sqaroi se nuk do të ketë luftë me Iranin.
“Nuk po kërkojmë luftë me Iranin. Duam vetëm shtensionim të situatës. Bëhet fjalë për një sulm serioz vdekjeprurës.“
Grupi militant irakian Kataib Hezbollah i mbështetur nga Irani, i akuzuar për sulmin e të Dielës njoftoi se do të ndalë të gjitha sulmet ndaj ushtrisë amerikane, ndërsa tha se vrasja e 3 ushtarëve ishte një thirrje ndaj Uashingtonit për të reshtur së shqetësuari qeverinë e Irakut.
Tv Klan