Ndërsa i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës për të goditur objektiva brenda Rusisë, presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se autorizimi është bërë vetëm për objektiva specifike rreth kufirit.
“Armët amerikane janë të autorizuar të përdoren në afërsi të kufirit për të sulmuar objektiva specifike. Ne nuk po autorizojmë sulme 200 milje në Rusi. Ne nuk po autorizojmë sulme në Moskë, në Kremlin.”
Autorizimi i Uashingtonit shënon ndryshimin e politikës nga Biden, i cili kishte refuzuar me vendosmëri të lejonte Ukrainën të përdorte armatimin amerikan për sulme brenda Rusisë.
Në ceremoninë e 80 vjetorit që shënoi fundin e Luftës së Dytë Botërore, nga Normandia, kreu i Shtëpisë së Bardhë u kërkoi fuqive perëndimore të qëndrojnë në kursin me Ukrainën dhe të mos i dorëzohen tiranisë ruse.
Ai u shpreh se autokratët e botës po shikojnë nga afër se çfarë ndodh në Ukrainë, për të parë nëse bota e lë pas këtë agresion të paligjshëm, ndërsa mes të tjerash ai u zotua se Shtetet e Bashkuara dhe NATO dhe një koalicion prej më shumë se 50 vendeve qëndrojnë të fortë me Ukrainën dhe nuk do të largohen, pasi edhe fqinjët e Ukrainës do të kërcënohen.
Ndërkaq Biden do të takohet me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy në Paris ku do të njoftojë një tjetër paketë ndihme ushtarake për Ukrainën prej 225 milionë Dollarësh armë. Ata do të takohen sërish javën e ardhshme në një samit të G7 në Itali, ndërsa vendet e pasura diskutojnë përdorimin e aseteve ruse të ngrira pas agresionit rus për të siguruar 50 miliardë dollarë për Ukrainën.
Mes të tjerash gjatë intervistës për ABC Neës presidenti i SHBA Joe Biden tha se nuk do ta falte djalin e tij Hunter, i cili është në gjyq në Delaware me akuzat se ka thyer ligjin që ndalon përdoruesit e paligjshëm të drogës të zotërojnë armë zjarri.
Hunter Biden akuzohet se në vitin 2018 ka gënjyer një shitës të liçencuar të armëve, duke bërë deklarata false në aplikimin e tij, se nuk ishte përdorues droge dhe e ka mbajtur armën në mënyrë të kundraligjshme për 11 ditë. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në 25 vite burg.