Takim historik mes liderëve të shteteve ish armike
Presidenti amerikan Joe Biden dhe lideri komunist i Vietnamit Nguyen Phu Trong u rreshtuan së bashku kundër kërcënimeve nga Kina. Ata e kanë këshilluar Pekinin se pretendimet për zonat detare pranë dy vendeve duhet që të zgjidhen në mënyrë paqësore sipas normave ndërkombëtare, pa bërë kërcënime apo pa e përdorur forcën. Kina patrullon me forca të shumta ushtarake Detin e Kinës Jugore duke vënë në lëvizje me qindra anije.
Biden dhe lideri vietnamez Nguyen Phu Trong i kanë bërë thirrje qeverise komuniste kineze edhe për respektimin e “lirisë së lëvizjes dhe zhvillimin e tregtisë pa pengesa në Detin e Kinës Jugore”. Kina ka injoruar një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Shfrytëzimit të Resurseve në këto hapësira detare.
Biden dhe Trong kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për thellim të bashkëpunimit, e që shihet nga analistët ndërkombëtare si mënyrë për ta luftuar rritjen e ndikimit kinez në Azinë e largët. Javën e kaluar, Filipinet e kanë akuzuar Gardën Bregdetare të Kinës dhe anijet e saj ushtarake për kërcënime ndaj dy anijeve bregdetare filipinase.
Manilla ka thënë e Garda Bregdetare e Kinës i bllokon vazhdimisht anijet e Filipineve në ujërat e kontestuar. Presidenti Joe Biden ndodhet në Vietnam për një vizitë që synon të thellojë lidhjet ekonomike midis dy vendeve.
Ish-armiqtë, Uashingtoni dhe Hanoi kanë përmirësuar se fundmi lidhjet diplomatike në një “partneritet gjithëpërfshirës strategjik”, një lëvizje simbolike ndërsa SHBA po kërkon aleatë të rinj në Azi për të kundërshtuar tensionet politike me Kinën dhe për të avancuar ambiciet e saj për teknologjitë, të tilla si prodhimi i çipave.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi edhe marrëveshjen historike mes kompanisë amerikane të prodhimit të avionëve Boeing dhe kompanisë ajrore Vietnam Airlines, me vlerë 7.8 miliardë dollarë, e cila pritet të mbështesë më shumë se 30,000 vende pune në Shtetet e Bashkuara.
Vietnami është partneri i tetë më i madh tregtar i SHBA-ve. Rreth 300,000 vende pune, të fokusuara në teknologjitë e prodhimit të gjysmëpërçuesve pritet që të zhvendosen nga Kina në Vietnam.
Pagat relativisht më të ulëta dhe një popullsi rinore i kanë siguruar Vietnamit një fuqi punëtore të përshtatshme për investime amerikane, në kombin me 97 milionë banorë. Vietnami do të jetë ende një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë se shtetet e tjera aziatike sidomos në prodhimin e automjeteve elektrike.
Klan News