BIDEN: ËSHTË KOHA T’IA KALOJMË STAFETEN BREZIT TE RI
Presidenti Joe Biden për herë të parë mbajti një fjalim para kombit që pas tërheqjes nga gara duke argumentuar se është koha që stafeta tanimë t’i kalojë brezit të ri. Ai u zotua se do të ndalojë presidentin rus Vladimir Putin të marrë kontrollin e Ukrainës, të punojë drejt një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza.
Në një fjalim drejtuar kombit për herë të parë qëkur u tërhoq nga gara presidenciale, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se tanimë është koha për t’ia kaluar stafetën një brezi të ri.
“E nderoj këtë zyrë, por e dua më shumë vendin tim. Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Por mbrojtja e demokracisë është më e rëndësishme se çdo titull. Marr forcë dhe gjej gëzim duke punuar për popullin amerikan. Por kjo detyrë e shenjtë për të përsosur bashkimin tonë nuk ka të bëjë me mua. Bëhet fjalë për ju”, tha Biden.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë trysninë disa javore të demokratëve për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas debatit katastrofik të 27 qershorit.
“Në javët e fundit, është bërë e qartë për mua se duhet të bashkoj partinë time. Asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë. Kjo përfshin ambicien personale. Pra, kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj stafëtën një brezi të ri”, tha Biden.
Presidenti Biden e mori vendimin disa ditë pasi shqyrtoi parashikimet e sondazheve se ai mund të humbiste përballë republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit dhe të dëmtonte edhe shanset e fitores së zgjedhjeve të ligjvënësve demokratë. Biden tha se do të fokusohet në punën e tij si president gjatë gjashtë muajve të tij të mbetur në detyrë. Ai u zotua të ndihmojë për ta bërë NATO-n më të fortë dhe më të bashkuar, të ndalojë presidentin rus Vladimir Putin të marrë kontrollin e Ukrainës, të punojë drejt një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe të shtyjë për reformën e Gjykatës së Lartë.
“Unë do të bëj thirrje për reformë në Gjykatën e Lartë, sepse kjo është kritike për demokracinë tonë. Ne do të vazhdojmë të mbledhim një koalicion të kombeve për të ndaluar Putinin të marrë kontrollin e Ukrainës. Ne do ta mbajmë NATO-n më të fortë. Gjithashtu do të vazhdoj të punoj për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të sjellë në shtëpi të gjithë pengjet, për të sjellë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Biden..
Mes të tjerash ai u shpreh se populli amerikan do të zgjedhë rrugën e së ardhmes ndërsa falenderoi zv/presidenten Kamala Harris si një bashkëpunëtore të jashtëzakonshme dhe që mund të drejtojë në të ardhmen SHBA-në.
Megjithatë, që kur ai mori vendimin për t’u tërhequr nga gara demokratët kanë shprehur mbështetjen për të, duke vlerësuar karakterin dhe punën e tij si president. Kjo është hera e katërt që Presidenti Biden i drejtohet vendit nga Zyra Ovale që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2021.
Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e kritikoi fjalimin e Presidentit Biden. Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët!” “Mashtruesi Joe Biden dhe gënjeshtarja Harris janë një turp i madh për Amerikën. Kurrë nuk kemi patur një periudhë si kjo”, u shpreh Trump./tvklan.mk/
GAZETARE: LIVIA KALLFA