Kina i cilëson deklaratat e Uashingtonit “një provokim politik“
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden e ka cilësuar homologun e tij kinez “një diktator”. Kjo deklaratë e presidentit amerikan vjen një ditë pas vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Kinë. Ai zhvilloi bisedime me liderin kinez me qëllimin uljen e tensioneve mes dy shteteve.
Gjatë një aktiviteti për mbledhje fondesh në Kaliforni, Biden tha se presidenti kinez ishte vënë në siklet për incidentin me balonën e spiunazhit kinez.
“Arsyeja pse Xi Jinping u mërzit shumë kur e rrëzova atë balonë me pajisje spiunazhi, ishte sepse ai nuk e dinte se ishte aty. Ky është një siklet i madh për diktatorët. Kur ata nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.”
Por menjëherë pas kësaj deklarate, reagoi edhe ministrja e zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning e cila e cilësoi qendrimin e Bajden, “qesharak”.
“Deklaratat nga pala amerikane janë jashtëzakonisht qesharake dhe të papërgjegjshme, ato cënojnë seriozisht faktet bazike, protokollin diplomatik dhe dinjitetin politik të Kinës. Ato janë një provokim i hapur politik.”
Vizita e Blinkenit në Pekin ishte e parë e një zyrtari të lartë amerikan pas 5 vitesh. Si Biden, ashtu edhe Xi e përshëndetën takimin, por Blinken e bëri të qartë se ekzistojnë shumë ndasi midis dy vendeve.
Uashingtoni dhe Pekini kanë pasur mosmarrëveshje prej kohësh për një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, të drejtat e njeriut dhe Tajvanin.
Klan News