Biden dhe kryeministri britanik me një takim në Shtëpinë e Bardhë për të vendosur rreth kufizimeve të armëve në Ukrainë

Shtytja e Ukrainës për të lehtësuar kufizimet në përdorimin e armëve nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe do të diskutohen në Shtëpinë e Bardhë në një takim midis presidentin amerikan, Joe Biden dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Ukraina dhe shumë nga mbështetësit e saj në SHBA dhe Evropë duan miratimin e Bidenit për të përdorur disa armë për të goditur objektivat ushtarake më thellë brenda Rusisë dhe ka shenja që Biden mund të ndryshojë politikën e SHBA-së.

Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar se përdorimi i armëve me rreze të gjatë nga ana e Ukrainës do ta vendosë NATO-n në luftë me Moskën.

Dy zyrtarë amerikanë të njohur me diskutimet rreth armëve thanë se besojnë se Starmer do të kërkojë miratimin e Bidenit për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat britanike Storm Shadow për sulme të zgjeruara në Rusi.

Bëhet e ditur se miratimi i Bidenit është i nevojshëm sepse komponentët e Storm Shadow janë bërë në SHBA.

Gjatë vizitës së kësaj jave në Kiev nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy, zyrtarët ukrainas përsëritën lutjet e tyre për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të ofruara nga Perëndimi kundër objektivave më të thellë brenda Rusisë.

Blinken tha se ai “nuk kishte dyshim” se Biden dhe Starmer do të diskutonin këtë çështje, duke vënë në dukje se SHBA-ja është përshtatur dhe “do të përshtatet sipas nevojës” pasi strategjia e fushëbetejës së Rusisë ka ndryshuar.

Blinken foli në mënyrë të ngjashme në maj, pak para se SHBA-ja të lejonte Ukrainën të përdorte armë të siguruara nga Amerika brenda territorit rus.

Distanca e lejuar është kufizuar kryesisht në objektivat ndërkufitare që konsiderohen si një kërcënim i drejtpërdrejtë, për shkak të shqetësimeve për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Biden ka lënë të kuptohet gjithashtu se një ndryshim mund të ndodhë, shkruan AP, përcjell Telegrafi.

Në një takim me gazetarët këtë javë, i pyetur nëse ai ishte gati të lehtësonte kufizimet e armëve në Ukrainë, ai u përgjigj: “Ne po e punojmë këtë tani”.

Por, Putini tha se lejimi i sulmeve me rreze të gjatë “do të thotë se vendet e NATO-s, SHBA-ja dhe vendet evropiane janë në luftë me Rusinë”.

Vërejtjet e tij ishin në përputhje me narrativën që Kremlini ka promovuar që në fillim të luftës në Ukrainë, duke akuzuar vendet e NATO-s për pjesëmarrje de-fakto në konflikt.

Në përgjigje, Starmer tha se Britania nuk kërkon ndonjë konflikt me Rusinë.

“Ukraina ka të drejtën për vetëmbrojtje dhe ne padyshim që kemi qenë absolutisht mbështetës për të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje”, shtoi ai.

Siç raportohet, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë presion udhëheqësve ushtarakë të SHBA-së dhe aleatëve që të lejojnë forcat e tij të përdorin armë perëndimore për të shënjestruar bazat ajrore ruse larg kufirit, pasi Rusia ka shtuar sulmet në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe shërbimet komunale.

Apeli i Zelenskyt ka marrë mbështetje në sigurinë dhe komunitetet diplomatike të SHBA-së dhe Evropës, duke përfshirë disa ish-gjeneralë dhe diplomatë amerikanë, ligjvënës amerikanë dhe analistë të sigurisë.

Ata argumentojnë se kërcënimet e mëparshme të Rusisë për përshkallëzim kundër Perëndimit kanë rezultuar të zbrazëta dhe se kufizimet e SHBA-së mbi armët po e bëjnë të pamundur për Ukrainën të fitojë vrullin në fushën e betejës që i nevojitet.

Edhe disa sulme ukrainase me armë më të rënda në objektiva ushtarake më thellë në Rusi do të rëndonin më shumë logjistikën ruse, trupat dhe burimet e tjera, sipas George Barros, një analist i sigurisë për Institutin për Studimin e Luftës.

Zelensky gjithashtu dëshiron më shumë armë me rreze të gjatë nga Uashingtoni, duke përfshirë Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë, i njohur si ATACMS.

Por, zëvendëskoloneli Charlie Dietz, zëdhënës i Pentagonit, tha se ATACMS nuk do të ishte përgjigja ndaj kërcënimit kryesor me të cilin përballet Ukraina nga bombat ruse me rreze të gjatë veprimi, të cilat po gjuhen nga më shumë se 300 kilometra.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu nuk besojnë se kanë mjaftueshëm sisteme armësh në dispozicion për t’i siguruar Ukrainës numrin për të bërë një ndryshim thelbësor në kushtet në terren.

Gjatë një takimi të ministrave aleatë të mbrojtjes javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se nuk besonte se sigurimi i Ukrainës me sisteme të armëve me rreze të gjatë do të ishte një ndryshim i lojës.

Ai vuri në dukje se Ukraina tashmë ka qenë në gjendje të godasë brenda Rusisë me sistemet e veta të prodhuara brenda vendit, duke përfshirë dronët.

“Unë nuk besoj se kjo aftësi do të jetë vendimtare, dhe unë i qëndroj atij komenti”, tha Austin.

Ndryshe, bisedimet në Shtëpinë e Bardhë ishin planifikuar pjesërisht për të ndihmuar Bidenin dhe Starmer të krahasojnë shënimet mbi luftën në Ukrainë, përpjekjet e pakta për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza, shqetësimet e ndërsjella në Indo-Paqësorin dhe çështje të tjera. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share