Bexheti dhe Arsovska ndjekin punimet – paralajmërohet investim për përmirësimin e ujësjellësit në shtatë vendbanime të Sarajit

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, sot kanë shpallur fillimin e aktiviteteve ndërtimore për realizimin e projektit për përmirësimin e ujësjellësit në shtatë vendbanime: Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq, Llaskarcë, Semenishtë dhe Çajlan në komunën e Sarajit, përcjell KlanM.

Aktivitetet ndërtimore kanë filluar me ndërtimin e një stacioni të ri parapompues afër Rashçes, tubacioneve nën presion për në Kopanicë dhe Bojanë, si dhe ndërtimin e një rezervuari në Kopanicë me kapacitet prej 600 metrash kub, njofton AMI.

“Mjetet për realizimin e këtij projekti, që do të zgjedh problemin e kahmotshëm për këto vendbanime janë të siguruara nga Qyteti i Shkupit”, deklaroi kreu i Sarajit, Blerim Bexheti, përcjell KlanM.

“Me realizimin e këtij projekti, ujësjellësi i premtuar realizohet në vendbanimet Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq, Llaskarcë, Semenishtë dhe Çajlan, që janë gati gjysma e popullsisë së përgjithshme të komunës së Sarajit. Për zgjidhjen e këtij problemi të kahmotshëm në këtë pjesë të qytetit po investojmë mbi 3 milionë euro dhe banorët e komunës së Sarajit kanë furnizim më të mirë me ujë. Ne kujdesemi për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe investojmë në sigurimin e kushteve cilësore për jetë në çdo komunë dhe vendbanim të qytetit”, tha Arsovska./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share