Athina zyrtare ka reaguar ndaj deklaratës solemne të presidentes së sapo-zgjedhur, Gordana Siljanovska Davkova, në të cilën ajo nuk e përmendi emrin kushtetues të shtetit.
Kryeministri grek, Kirjakos Micotaki nëpërmjet një reagimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, tha se zgjedhja provokuese e presidentes së re që të shkel tekstin zyrtar të betimit dhe të quajë shtetin e saj me emër tjetër, është iniciativë paligjshme dhe e papranueshme.
Ai shtoi se, nuk do të tolerojnë më gabime të tilla të papranueshme.
“Një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vet Kushtetutës e shtetit të saj. Por, edhe minon ardhmërinë e shtetit të saj, siç veç më ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Layen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.Si opozitë, Demokracia e Re në vitin 2019 votoi kundër marrëveshjes. Faktikisht, duke parajmëruar atëherë për problemet që do t’i krijojnë dështimet e saj. Megjithatë, si qeveri, ne respektojmë nënshkrimin e Greqisë në një marrëveshje ndërkombëtare, të obligueshme për shtetin”, tha Kirjakos Micotakis.
Ndaj deklaratës së Siljanovskës ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, prej ku i kanë bërë thirrje për kujdes gjithë funksionarëve të shtetit pasi sipas tyre, ruajtja e kursit euroatlantik të vendit përfaqëson një interes themelor strategjik për vendin.
“Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes njerëzve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe përmirësimin e Partneritetit Strategjik në Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara”, thonë MPJ.
Kujtojmë se në lidhje me këtë deklaratë, kishte edhe reagime nga liderët e Bashkimit Evropian. BE rikujtoi rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë./tvklan.mk