“Beteja pa kthim vazhdon!”, Berisha shkon për herë të parë në SPAK

Pritet me ovacione nga mbështetës të tij: Ne do të fitojmë!

Sot në orën 10:00 ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit për herë të parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku do të merret në pyetje sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”. Ai doli nga banesa e tij i shoqëruar nga forca policie, por i buzëqeshur duke thënë një fjali të vetme: “Beteja pa kthim vazhdon!”

Para SPAK e pritën me ovacione mbështetës të tij. “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, ishin brohoritjet njëzëri të këtyre të fundit. Madje një prej demokratëve i tha: Të marrsha të ligat, të marrsha të keqen!

Ndërsa Berisha duke i takuar nga afër tha: “Beteja me botën e krimit vazhdon. Opozita do të fitojë. Jam sot këtu për të përfaqësuar ju, përfaqësuar shqiptarët, përfaqësuar pluralizmin, Partinë Demokratike! Jam këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë, që angazhohet në betejë kundër pluralizmit. Ne do fitojmë, fitore, fitore, fitore!”

Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 Dhjetorit 2023. Kujtojmë se në kohën kur i ishte caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” ai nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues. Kryedemokrati akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është nën hetim për pastrim parash.

Këtë të Martë do të jenë prokurorët Enkeleda Minollai dhe Arben Kraja ata që do i drejtojnë pyetje Berishës, ndërkohë që para nisjes së seancës pati forca të shtuara policie para Strukturës së Posaçme.

Edhe pse për më shumë se 3 javë Berisha nuk lejohet të dalë jashtë shtëpisë së tij, ai e ka gjetur mënyrën si të komunikojë me demokratët. Nga dritarja e banesës së tij, ai del e mban fjalime çdo pasdite në orën 17:00, duke bërë thirrje për protesta kundër qeverisë.

Po ashtu, Berisha përmes avokatëve të tij ka kërkuar që të të marrë pjesë në seancat parlamentare, gjë të cilën e ka refuzuar SPAK më 18 Janar. Në vendimin e zbardhur thuhet se, Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon një leje të tillë. Prokurorët theksojnë se nevojat që ka vlerësuar gjykata mbi bazë të cilave është caktuar masa “arrest në shtëpi” duhet të mbizotërojnë në raport me tagrin e deputetit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për të marrë pjesë në parlament.

Sot, mbështetës të tij përfshirë dhe deputetë të opozitës ishin para SPAK, ndërkohë që blutë ngritën një kordon sigurie.

tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share