Në Filipine ritet ishin të ndaluara që nga pandemia, në Kili dhe Venezuelë praktika i lejon besimtarët të lajnë mëkatet
Një besimtar katolik filipinas në provincën qëndrore të Pampanga u vendos në një kryq duke rikthyer kështu në vëmendje kryqëzimin e Jezu Krishtit.
Ritet e kryqëzimit ishin teknikisht të ndaluara në të gjithë Filipinet që nga fillimi i pandemisë Covid-19, por rifilluan këtë vit.
“Ky është zotimi im ndaj Zotit që ta bëj atë, derisa të mundem, po, derisa të mundem, derisa trupi im të jetë në gjendje të mirë, unë e bëj atë”, u shpreh 65 vjeçari Ruben Injaje.
Inaje u vendos në kryq nëpërmjet gozhdëve dy centimetra të gjatë nëpër duar dhe këmbë, ndërsa dy pjesëmarrësit e tjerë thjesht u lidhën në kryqe me litarë për të mbajtur peshën e tyre.
Sipas qeverisë, besimtarët vendas kanë praktikuar ritet e kryqëzimit që nga viti 1955. Gjatë sezonit të Kreshmës, shumë besimtarë në Filipine praktikojnë pendimin e tyre me tradita të vjetra si kryqëzimi, agjërimi dhe pelegrinazhi në kisha. Ritualet e kryqëzimit mbahen gjatë Javës së Shenjtë, një festë tetë-ditore duke filluar nga e Diela e Palmave deri të Dielën e Pashkëve.
Mbi 80% e popullsisë 94 milionëshe të Filipineve praktikon fenë katolike, duke e bërë atë të vetmin vend të njohur aziatik me besim kryesisht katolik. Ndërkaq rituale të njëjta janë zhvilluar edhe në disa shtete të Amerikës Latine.
Besimtarët kilianë mbushën rrugët e Santiagos duke rikthyer kryqëzimin e Krishtit. Organizatorët përdorën drita dhe shirita për të rifreskuar këtë traditë. Besimtarë të të gjitha moshave i ndiqnin aktorët teksa mbanin qirinj.
Gjithashtu edhe në një nga lagjet më të varfra të Karakasit, katolikët rikrijuan Rrugën e Kryqit. Skenat e dhimbjes dhe vuajtjes dukej se i bashkonin spektatorët me shpresën për një të ardhme më të mirë për vendin e tyre. Tradita filloi nga famullia lokale pothuajse 40 vjet më parë.
Klan News