Besimi: Mrekullia jonë ekonomike mund të ndodhë vetëm me anëtarësimin në BE

Anëtarësimi në BE është faktor kyç për të ardhmen tonë të begatë dhe rritjen ekonomike dhe kjo mundësi nuk duhet humbur, deklaroi ministri i Financave Fatmir Besimi në panelin e diskutimit me titull “Në rrugën drejt BE-së: Shfrytëzimi i mundësive për integrim të shpejtë” që u zhvillua në kuadër të Konferencës vjetore – Viti i mundësive evropiane.

“Nëse bëjmë krahasim me vendet që kanë bërë mrekulli ekonomike, qofshin ato në Lindjen e largët, Lindjen e afërt, dhe në Europën, ose janë pjesë e BE-së, emruesi i përbashkët i të gjithave, ndër të tjera është se çfarë tregu keni siguruar, kapitali njerëzor dhe arsimi, investimet dhe klima e mirë afariste dhe sundimi i ligjit. Mrekullia jonë ekonomike mund të ndodhë vetëm me anëtarsimin në BE. Kjo ndodh kështu, sepse ekonomia funksionon në këtë mënyrë.

Do të jenë tre komponentët bazë: 1) kapitali njerëzor, shkenca dhe teknologjia; 2) investimet, infrastruktura, transformimi dixhital dhe i gjelbër dhe 3) institucionet e fuqishme dhe sundimi i ligjit. Më pas mbeten edhe dy komponentë e rritjes ekomomike, përkatësisht komponenti 4) konsensusi shoqëror për temat kyçe që janë bazë e reformave kyçe dhe 5) anëtarësimi në BE, si një perspektivë me mundësi të reja”, deklaroi ministri Besimi në panelin e diskutimit.

Ai shtoi se këto janë pesë komponentët kyç për mrekullinë tonë ekonomike dhe se nuk duhet të humbasim asnjë mundësi për ta realizuar atë dhe për t’u bërë anëtare e BE-së, për t’u bërë mrekulli ekonomike dhe për të siguruar të ardhme më të mirë për të gjithë.

Në këtë diskutim, ai theksoi se anëtarësimi mbështetet në reforma që nuk janë të thjeshta, por janë mundësi e krijuar për transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë sonë.

“Reformat nuk janë të thjeshta dhe në zbatimin e tyre kërkohet qëndrueshmëri dhe këmbëngulje. Procesi duhet të ketë përkrahje dhe jo frikë. Ai do të na sjellë ta jetojmë Evropën këtu, jo në Berlin apo në ndonjë qytet tjetër evropian. Për sigurimin e të ardhmes evropiane nevojitet konsensus i ndryshimeve kyçe” – theksoi ministri Besimi në Konferencën vjetore.

Në panelin e diskutimit  ishin të pranishëm zëvendëskryeministrat për çështje ekonomike dhe evropiane, Fatmir Bytyqi dhe Bojan Mariçiq, si dhe anëtari i Këshillit të BPRMV-së prof. dr. Sinisha Naumoski, dhe përfaqësuesi i menaxhmentit të Institutit Heidelberg në Shkup.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share