Nismat që ndërmerren në nivel nacional, me të cilat sigurohen mjetet financiare për përkrahjen e ekonomisë, së bashku me nismat e përcaktuara nga partneri ynë, Bashkimi Evropian, që janë të orientuara në drejtimin e njëjtë, ofrojnë mundësi më të mëdha që përmes procesit të këtillë gjithëpërfshirës, ndërmarrjet të bëhen më konkurruese në tregun evropian dhe të ballafaqohen me sfidat e tij.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi e pohoi këtë sot në konferencën rajonale me temë “Open4Business – Made in the Western Balkans – Supported by EU”, të organizuar nga Komisioni Evropian në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe “Western Balkans 6 Chamber Investment Forum“ (WB6CIF).
“Në këtë periudhë, në të cilën po ballafaqohemi me kriza, jemi të përgatitur para sfidave, me qëllim që të sigurohet bilanci fiskal, të zbatohet konsolidimi fiskal dhe nga ana tjetër, të sigurohet rritja ekonomike. Për këtë qëllim, duke ndjekur shembullin e planit të BE-së dhe Junkerit, kemi përgatitur plan për rritje të përshpejtuar ekonomike, i cili përmban udhëzime se si të përkrahim rritjen në kohë krize, por edhe të sigurohen lloje të ndryshme të instrumenteve financiare për të arritur prosperitet dhe zhvillim”, deklaroi ministri i Financave.
Ministri Besimi foli edhe për instrumentet që Ministria e Financave ka emetuar, siç janë: fletobligacioni i qytetarëve, fletobligacioni i gjelbër, fletobligacioni strukturor, ku ai theksoi se: “këto janë instrumente të reja në tregun e kapitalit, të emetura këtë vit nga Qeveria, por kemi edhe nisma të tjera, siç janë Fondi garantues në Bankën Zhvillimore, që përkrah kompanitë vendore dhe synon përmirësimin e qasjes në financa përmes bankave afariste, me garanci të Bankës Zhvillimore. Istrumenti përmes të cilit do të sigurohen garanci për kompanitë eksportuese, ku janë siguruar 10 milionë euro për zhvillim dhe 15 milionë euro për garanci investimesh, gjithashtu, përmes Bankës Zhvillimore. Në javën e kaluar, u krijua Fondi i Efikasitetit Energjetik pranë Bankës Zhvillimore, i cili mes tjerash, do të financohet nga fletobligacioni i gjelbër dhe do t’i përkrahë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, për ndërmarrjet janë në dispozicion edhe 150 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës.”
Kjo, sipas ministrit, paraqet injektim serioz për sektorin privat në këtë periudhë me kriza të njëpasnjëshme, megjithatë, paraqet edhe përkrahje në procesin e tranzicionit të gjelbër dhe konkurrencën e kompanive tona në tregun e ardhshëm të përbashktë evropian.
Ministri potencoi se është e rëndësishme që kemi partnerë të afërt në Evropë, kur bëhet fjalë për sigurimin e mjeteve financiare, sepse vetëm këtë vit, Republika e Maqedonisë së Veriut ka marrë grant prej 80 milionë eurove për ballfaqimin e krizës, si dhe 100 milionë euro shtesë prej përkrahjen buxhetore në të gjitha politikat.
“Kjo ka rëndësi për komunitetin afarist sepse për këto 100 milionë euro, BE-ja për ne do të emetojë fletobligacion dhe ne do të përfitojmë mjete me interes të ulët, mjete që janë në interes të ndërsjellë për të gjithë qytetarët dhe për përcaktimin tonë për anëtarësimin në BE. Ka rëndësi që ky proces është në interesin e të gjithëve dhe se qëllimi i përbashkët i tij është një kontinent me prosperitet dhe i suksesshëm”, u shpreh ministri Besimi.
Në këtë kontekst, ai theksoi se konferenca të tilla janë shembull i mirë për krijimin e rrjetit të qëndrueshëm të bashkëpunimit dhe mënyrën se si të shfrytëzohen më së miri mundësitë. Në muajin nëntor do të vijojë edhe një ngjarje tjetër, e cila do t’i dedikohet mënyrës se si të shfrytëzohen në mënyrë optimale mjetet që janë në dispozicion nëpërmjet fondeve evropiane dhe se si t’i ndërlidhim programet me realizimin e prioriteteve politike dhe me komponentin e rritjes.