Propozimi i Buxhetit për vitin 2024 siguron kushte për rritje të qëndrueshme ekonomike, vazhdim të konsolidimit fiskal dhe përforcim të qëndrueshmërisë fiskale, përkrahje të standardit të qytetarëve dhe kategorive të rrezikuara të qytetarëve dhe ekonomisë, si dhe intensifikimin e konvergjencës së vendit drejt BE-së. Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në ekspozen e Propozimit të Buxhetit për vitin 2024 në Komisionin Parlamentar Amë për Financim dhe Buxhet, ku nga sot është në rend dite në Kuvend.
Duke prezantuar Propozimbuxhetin, në emër të Qeverisë, ministri theksoi se politikat që janë pjesë e buxhetit për vitin 2024 janë reagim ndaj pasigurisë së zgjatur, ngadalësimit të ekonomisë globale dhe rreziqeve për ekonominë tonë.
“Strategjia e konsolidimit dhe më pas edhe e përshpejtimit të rritjes, bazohet, para së gjithash, në nxitjen e zhvillimit përmes ciklit të fortë të investimeve, bartës i të cilit është sektori publik, përmes projekteve të mëdha infrastrukturore, por edhe sektori privat, i cili do të përkrahet përmes politikave buxhetore. Së dyti, thelbësore është të sigurohet qëndrueshmëria fiskale, përmes konsolidimit të vazhdueshëm fiskal, por edhe qëndrueshmëria energjetike, qëndrueshmëria në bujqësi dhe në ekonomi, përmes zhvillimit të ekonomisë së gjelbër”, theksoi ministri.
Ministri Besimi potencoi se më e rëndësishme është të ndryshohet struktura e Buxhetit, përkatësisht nga viti i kaluar niveli i shpenzimeve kapitale është dy herë më i lartë krahasuar me vitin 2020 dhe se tendenca e tillë reflektohet edhe në Buxhetin e vitit 2024. Nga ana tjetër, siç theksoi ai, deficiti buxehtor është zvogëluar për një të tretën, sa i përket nivelit të projektuar për këtë vit, përkatësisht në nivel prej 3.4% të PBB-së, ku vetëm gjysma e atij është primar, përkatësisht 1.7% të PBB-së, ndërsa gjysma tjetër shfrytëzohet për pagesën e interesit të borxhit të akumuluar ndër vite.
Sipas propozimit të Buxhetit, siç potencoi ministri Besimi, Buxheti për vitin 2024 targeton prioritetet dhe shpërndan në mënyrë përkatëse mjetet financiare për përmbushjen e nevojave publike të qytetarëve dhe kompanive. Të hyrat e përgjithshme planifikohen në nivel prej 310.1 miliardë denarëve dhe ato janë për 10% më të larta krahasura me vitin 2023, ndërsa shpenzimet planifikohen në nivel prej 343.6 miliardë denarëve ose 5.8% më të larta krahasuar me vitin 2023.
Sipas ministrit Besimi, të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara në këtë mënyrë rezultojnë me ulje të deficitit buxhetor krahasuar me vitin 2023 për rreth 9.2 miliardë denarë dhe i njëjti projektohet në vlerë absolute prej 33.5 miliardë denarëve ose në nivel prej 3.4% të PBB-së së planifikuar. Përveç deficitit më të ulët buxhetor, përmes shpenzimit buxhetor parashihet funksionimi normal i institucioneve, sigurimi i komponentit zhvillimor, si dhe alokimi i mjeteve të nevojshme financiare si rezerva për gjendjet e krizave në nivel prej rreth 0.4% të PBB-së.
Buxheti, siç theksohet në ekspoze, siguron realizimin e rregullt dhe pa probleme të të gjitha detyrimeve ligjore, realizimin pa pengesa të aktiviteteve zgjedhore, mbështetjen e ekonomisë vendore, sektorit privat dhe qytetarëve, rritjen dhe përshpejtimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, tërheqjen e investimeve të huaja dhe inovacionet e kompanive vendore etj.
Me 298.6 miliardë denarë mjete të planifikuar për shpenzimet rrjedhëse, sigurohen pagesat e rregullta të pagave të të punësuarve në sektorin publik, pagesat në kohë dhe të rregullt të pensioneve, të ardhurat minimale të garantuara dhe të drejtat e tjera sociale, subvencionet në bujqësi, përkrahjet e NVM-ve, përkrahja dhe subvencioni i aktiviteteve inovative të ndërmarrjeve, si dhe alokimi i mjeteve për përkrahjen e targetuar të kategorive me të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë.
Për shpenzimet e pagave janë projektuar 41.2 miliardë denarë, të cilat janë për 10% më të larta karahsuar me vitin 2023 dhe sigurojnë pagesën e pagave të rritura të të punësuarve në sektorin publik, në pajtim me Marrëveshjen e përgjithshme kolektive. Shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve janë projektuar në vlerë prej 25.3 miliardë denarëve, në kuadër të të cilave janë paraparë 1 miliard denarë për realizimin e zgjedhjeve, transfertat rrjedhëse ndërsa subvencionet janë planifikuar në vlerë prej 215.3 miliardë denarëve, përkatësisht 83.6 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 13.2 miliardë denarë për kompensimet e mbrojtjes sociale, 1.5 miliardë denarë kompensim monetar në rast të papunësisë, 1.9 miliardë denarë për politikat dhe masat aktive të punësimit. Për mbrojtjen shëndetësore janë planifikuar 45.7 miliardë denarë, për transfertat në njësitë e vetëqeverisjes lokale 29.8 miliardë denarë, si dhe mjete për subvencionet bujqësore dhe subvencionet e sektorit privat.
Duke marrë parasysh pasigurinë e vazhdueshme, për vitin 2024 në buxhet janë paraparë edhe 60 milionë euro për masat e përkrahjes së kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë. Gjithashtu, për këtë qëllim janë paraparë edhe mjete në programet e tjera të ministrive, si Programi i varfërisë energjetike dhe Programi i të hyrave minimale të garantuara në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale etj.
Shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerë prej 45,1 miliardë denarëve dhe janë të dedikuara për realizimin e projekteve infrastrukturore veçmë të filluara, gjegjësisht investime në rrugë dhe hekurudha, në infrastrukturën energjetike dhe infrastrukturën komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në shëndetës, arsim dhe sistemin social, bujqësi, kulturë, sport, mjedisin jetësor si dhe drejtësi.
Rritja e ekonomisë është parashikuar në nivelin 3.4%, ndërsa inflacioni deri në 3.6%.
Në Komisionin për Financim dhe Buxhet, debati për Propozimin e Buxhetit zgjat 10 ditë pune, pas së cilës dërgohet për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare të Kuvendit. Sipas afateve të përcaktuara, Buxheti për vitin e ardhshëm duhet të miratohet në Kuvend më së voni deri më datë 31 dhjetor.