Kryedemokrati, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka bërë thirrje që të mblidhet me urgjencë parlamenti ditën e enjte për të votuar rritjen e rrogave dhe pagave teksa garantoi qytetarët se PD do ta votojë këtë ligj.
Mes të tjerash, kryetari i PD-së tha se ligjin për rritjen e rrogave e ka bllokuar sipas tij kryeministri Rama së bashku me Enkelejd Alibeajn teksa shtoi se ai premtim ishte mashtrim.
Sali Berisha: Jam sot këtu për t’i shkurtuar këmbët mashtrimit të paskrupullt të tij me rrogat dhe pensionet. Edi Rama, për herë të parë pas 10 vitesh, pasi u bë e qartë se ngrirja e rrogave dhe rritja e tmerrshme e çmimeve i zhyti shqiptarët në një varfëri të frikshme, që i detyrona të largohen masivisht nga Shqipëria, lëshoi një seri premtimesh për rritje rrogash.
Ndër të tjera paraqiti në parlament një ligj ku parashikohej rritja e rrogës mesatare 900 euro. E vërteta është se ligjin e bllokoi vetë në parlament me një marrëveshje të turpshme me Alibashën, mbylli parlamentin dhe këtë e bëri vetëm e vetëm pse ai premtim ishte një mashtrim. Unë jam këtu sot në emër të qytetarëve shqiptarë, të ftoj të mbledhim me urgjencë ditën e enjte parlamentin dhe të votojmë ligjin për rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Të tallesh me njerëzit që numërojnë edhe qindarkat për të mbyllur 15-ditëshin apo muajin, duke i joshur ata me premtime boshe, është një akt cinik, dhe kur e bën në fushatë elektorale është një krim elektoral. Ndaj i them Edi Ramës, bëhu njëherë njeri me ndjenja për qytetarët dhe hajde të votojmë ligjin për rritjen e rrogave, përgjigju ofertës sonë që nuk ka për synim bashkëpunimin me ty, se ti e ke faktuar veten një armik të interesave të shqiptarëve, por ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Pra, e enjtja është një ditë prove për të vërtetën e këtij premtimi dhe unë i garantoj shqiptarët se të gjithë votat tona do shkojnë për ligjin e rritjes së rrogave dhe pensioneve./tvklan.al