Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai i ka kthyer përgjigje deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili është shprehur se do të refuzojë të përfshihet në debate me një opozitë, e cila sipas tij, është në nivel etik të frikshëm. Berisha duke iu drejtuar drejtuesit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziut, i cili lexoi deklaratën e Ramës, tha: Bëhu burrë thuaji, hajde vetëm 5 minuta dhe trego sa të vlen lëkura.
Blendi Fevziu: Zoti Rama sapo thotë që “unë nuk do ta përsëris, nuk kam çfarë të them, por duke qenë se sot refuzova të jem, do refuzoj të jem në mënyrë të vazhdueshme jo për çështje konkrete, por në tërësi të jem në sallë të Kuvendit dhe të përfshihem me disponim në debat me një opozitë e cila është në nivel etik të frikshëm”. “Për fat të keq më ka tërhequr edhe mua ndonjëherë në atë nivel”, thotë. Pra ju e keni bërë të keq dhe Ramën.
Sali Berisha: Thuaji pak, bëhu burrë dhe hajde 5 minuta këtu. Bëhu burrë thuaji, hajde vetëm 5 minuta dhe trego sa të vlen lëkura.
Blendi Fevziu: Rri se mos vjen.
Sali Berisha: Të bëhet burrë dhe të ballafaqohet me Luçiano Boçin në studion te Grida Duma.
Blendi Fevziu: Nga ana tjetër thotë, “zyrtarin e FBI e kam takuar me kërkesën e tij në zyrë. Kemi pasur bashkëbisedim miqësor në terma krejt të përgjithshëm. Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse. Më ka folur dhe kemi folur për rajonin. Takimet e tjera kanë ardhur ose si rezultat i pranisë së tij këtu ose pranisë sime në SHBA. Më ka ftuar në zyrat në Nju Jork ku jam takuar dhe me kolegë të tjerë të tij. Nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme, një marrëdhënie krejt normale që nuk është e vetmja që kam me përfaqësues të agjencive të ndryshme”.
Sali Berisha: Pyete, e ka takuar në Nju Jork apo në Tiranë Deripaskën?
Blendi Fevziu: Rama? Nuk e ka takuar Deripaskën. Zoti Berisha, Deripaska nuk ka ardhur në Shqipëri.
Sali Berisha: Kush tha?
Blendi Fevziu: Deripaska nuk ka ardhur në Shqipëri. Edhe në Mal të Zi që ka një vilë sa gjysma e Shqipërisë ka qenë një herë dhe Deripaska nuk shkel në Nju Jork se është i sanksionuar që në 2014.
Sali Berisha: Deripaska ka 6 kompani, është investitor strategjik në Shqipëri. Dhe e vërteta është që ka shumë mundësi që jo në një që është publikisht, por në një tjetër që është i fshehur Deripaska ka patur tendera me AlbControl me zonjën Balluku e cila nuk ka çorbë që të mos jetë e përzier. Realiteti. Ka marrë tendera në rrugë, ka marrë tendera nga ujësjellësa. Ajo që ka ndodhur se Deripaska i sanksionuar nga SHBA në vitin 2018 ka vazhduar i qetë në një parajsë veprimtarinë e tij ekonomike gjer në vitin 2022 në Shqipëri. A e ka takuar Edi Ramën apo jo? Unë nuk mund të them. A e ka paguar Deripaka ato 220 mijë Dollarë apo i ka paguar Edi Rama, ato nuk mund të them. Ato janë të gjitha hetime të institucioneve ligjzbatuese të SHBA./tvklan.al