Kryedemokrati, Sali Berisha tha se samiti i Procesit të Berlinit ka pasur rezultat të rëndësishëm, atë që ai e quan “varrosje e Ballkanit të Hapur”, që sipas tij është projekt ruso-serb.
Gjatë fjalës së tij, Berisha thotë se kryeministri Rama ka tentuar që ta dekurajonte Kurtin në samitin e mbajtur ditën e djeshme, por shton se kryeministri i Kosovës erdhi në samit dhe thotë se “i vari teneqenë që meritonte”.
Sali Berisha:Samiti evropian u mblodh, por sherret ballkanike mbeten. Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet tokë sherri në Europë. Samiti ishte ngjarja më e madhe për rajonin. Rikonfirmonte mbështetjen e perspektivës evropiane për kombet e rajonit. Ky samit pati rezultat tjetër shumë të rëndësishëm, varrosjen në piramidën e diktatorit më stalinist të Europës, Enver Hoxhës, të projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur dhe së bashku me të të ëndrrës së Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit, për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Vetë, me mbledhjen e tij në Tiranë, samiti sillte në Ballkanin perëndimor, antidotin e sherrit, por ky efekt nuk pati. Pse kjo? Sepse përtej fasadës, mikpritësi është vetë sherri.
Ai, në prag të samitit, jo që nuk synoi qetësimin e sherreve ekzistuese, në të cilat ai vetë është përfshirë, por bëri gjithçka që t’i hapte ato më shumë. Tre ditë përpara samitit, ai mbajti një fjalim koprolalik, të llojit të Enver Hoxhës, kundër udhëheqjes politike të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, për fajin e vetëm se kanë kundërshtuar ndërhyrjet brutale të tij si argat i Vuçiçit në punët e brendshme të vendit të tyre dhe projektin antishqiptar të ndarjes së Kosovs mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Kështu, Rama jo vetëm që nuk punoi për shkrirjen e akujve mes Tiranës dhe Prishtinës, por në prag të samitit bëri të kundërtën, vazhdoi luftën e ftohtë të nisur prej vitesh nga ai. Përveç këtyre, ajo që ra në sy ishte paraqitja hund e buzë e kryeministres Brnabiç në krah të argatit të Beogradit. Me gjuhën e trupit dhe mimikën shpërfillëse, ajo shprehu mesazhin e padronit të tij, argatit, se nuk ke bërë mirë detyrën, ishe zotuar se Kurti nuk do vinte në samitin e Tiranës. Në fakt Rama, muaj më parë kur vendosi i pari sanksionet ndaj Kosovës, kishte paralajmëruar se për Kurtin nuk do të kishte vend në samit, sikur të ishte ky samit personal i tij dhe jo i BE dhe rajonit. Por Kurti nuk ra në kurthin e tyre dhe megjithëse Rama nuk kurseu gjë për ta irrituar dhe dekurajuar, në mënyrë që të refuzonte ardhjen në Tiranë, kjo nuk ndodhi.
Albin Kurti erdhi dhe i vari Ramës teneqenë që meritonte. Takimi i vetëm biletaral në këtë samit, i njoftuar nga media, ishte takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.