Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vazhduar me akuzat në adresë të Kryeministrit Edi Rama për inceneratorët.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se ka një dokument ku Kryeministriu Edi Rama ka firmosur në financimin me fondin rezervë të qeverisë për inceneratorin e Elbasanit.
“Edi Rama ka një problem tjetër madhor. Problemi i tij madhor është se ka firmën e tij mbi financimin me paratë e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, të djegësit të Elbasanit.
Pra, kjo e bën atë përgjegjësin më kryesor në zbatimin e këtij projekti mafioz. Kurrë ai nuk mund të prekë atë fond për këto qëllime. Kurrë! Por ai e ka bërë se e kishte sipërmarrjen e tij.
E fundit te firmat është firma e tij fatale mbi dhënien e bonusit prej 8 pikësh të një kompanie që nuk ekzistonte kurrë, tetë muaj përpara se ajo të themelohej. Dhënia në dhjetor të vitit 2016 për kompaninë Integrated, edhe pse Ermonela Felaj e ka informuar me shkresë se kjo nuk mund të ndodhë pasi kompania nuk ekziston. Ky ishte projekti i djegësit të Tiranës me të cilin jo vetëm ai, por edhe gjeneratat që do vijnë do të bëheshin të pasur.
Kryeministër në botë që pretendon se djegësi i Tiranës është një kompani e Zoto-Mërtirit dhe që të dy janë me mandat arresti dhe në kërkim, paguhen çdo ditë 90 mijë euro, paguhen mbi 2 milionë euro në muaj, kjo ndodh vetëm se është sipërmarrja e tij. Kur vjen puna, ai ka bërë ligjin e konfiskimit, autorizon veten e tij për të konfiskuar, që nuk ndodh as në diktatura.
Por kur është puna, atë ligj e ka për të tjerët, jo për sipërmarrjen e vet. Sipërmarrja e vet vazhdon të furnizohet dhe paguhet në kundërshtim me ligjin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe Edi Ramës t’i shtohen kontot bashkë me Erion Veliajn. Nuk ka firmosur rastësisht Niko aty, është i zhytur edhe ai në pleh. Do dalin edhe dokumentet për zhytjen e tij. Do të shihni ju se si këta anëtarë të organizatës kriminale, kanë shkelmuar çdo interes të qytetarëve shqiptarë.
Ahmetaj është, pavarësisht se nuk është akuzuar për dy gjërat kryesore, për dhënien, miratimin, për procedurën me negociata të mbyllura, Ahmetaj ka dhënë miratimin. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave nuk mund të preket pa firmën e ministrit të Financave. U zhvilluan pothuajse një javë negociata me të dhe nuk pati rezultat dhe dje u lëshua mandati i arrestit”, tha ndër të tjera Sali Berisha. /tvklan.al