Berisha me fituesit e primareve: Tani do të hyni në luftë elektorale

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka pritur në një takim fituesit e primareve të zhvilluara brenda partisë, të cilët i ka përgëzuar për procesin demokratik.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se me primaret ata kanë kaluar një garë për të hyrë në luftën elektorale të zgjedhjeve vendore 2023.

“Ju kaluat një garë, ta quajmë thjesht një betejë për të hyrë në luftë elektorale në një betejë elektorale me qëllimin më madhor për t’ja u rikthyer bashkitë qytetarëve shqiptarë. Ne ja u rikthyem anëtarëve dhe simpatizantëve të PD përfaqësuesit e tyre dhe ja ku kemi. Ju jeni misionarë për të rikthyer bashkitë te qytetari, për t’u dëshmuar shërbëtorë të përvuajtur të të drejtave të tij. Ju filloni garën me një mision, si misionar që bashkitë të shndërrohen si ç’duhet të jenë, në shtëpitë e vërteta të qytetarëve”.

Primaret brenda PD-së i konsideron hapje të Partisë Demokratike.

“Kjo është një ngjarje shumë e veçantë. Kurrë ndonjëherë me parë këtu nuk janë ulur kandidatë për qytetarë të parë të bashkive të vendit. Një trupë që ka marrë vota nga anëtarësia dhe simpatizantët e PD më shumë se të gjithë institucionet e tjera. Është një ngjarje shumë e rëndësishme për ne, është zhvillim i vyer, i çmuar në rrugën tonë të konsolidimit të vlerave të demokracisë. Ju keni dalë nga një garë, keni konkurruar me bashkëluftëtarët tuaj, keni dëshmuar në tërësi civilitet, integritet, transparencë dhe me garën që keni bërë keni transformuar, ridimensionuar pluralitetin në gjirin e PD por dhe në Shqipëri në tërësi. Nuk ka parti më të hapur se sa partinë që bazohet në garën konkurrencën e lirë dhe të ndershme të zgjedhjes së institucioneve të saj.

Nuk ka parti më të hapur në mënyrë më demokratike se sa një parti që përveç anëtarëve të vetë fton të votojnë edhe simpatizantët e saj. Pranon në përputhje me kriteret jo vetëm personlitetet politike të vetat, por edhe prurje të shquara nga shoqëria civile, bota akademike dhe të gjitha këto kanë ndodhur në këtë garë, unë nuk them se ishte e përsosur, por këto që them sot janë risi të pamohueshme të saj dhe secili prej jush ka kontributin, ka investimin në këtë realitet të ri të krijuar në PD por edhe në Shqipëri”.

Berisha vlerësoi të gjithë kandidatët që morën pjesë në primaret e PD, duke theksuar se kjo i shërbeu pluralitetit të partisë.

“Secili kandidat që doli i dytë apo i tretë në garë ka gjithashtu meritën e madhe sepse nderoi garën, firmosi pluralitetin brenda PD. Por një aspekt tjetër i rëndësishëm, thelbësor i garës tuaj qëndron në përmbysjen përfundimtare të përfaqësimit nga përfaqësimi i kryetarit dhe kryesisë tek përfaqësim i anëtarëve dhe simpatizantëve të PD. Ky është modeli më demokratik për një forcë politike dhe për një vend. Ky model e vërteta është se në këtë formë nuk zbatohet në shumë forca të tjera politike qoftë ato dhe të qendrës së djathtë por ato që e kanë zbatuar kanë vendosur standardet më të larta të demokracisë, përfaqësimit në partitë e tyre. Ndaj dhe ne jemi shumë krenar me ju me të gjithë ata që morën pjesë në garë, me të gjithë degët, drejtuesit, anëtarët, që kompletuan këtë procës dhe dëshmuan para shqiptarëve përkushtimin tonë të plotë për dinjitetin e tyre”.

Kryedemokrati nuk la pa kritikuar as rivalët e tyre politikë, Partinë Socialiste.

“Në qoftë se hidhen sytë në krahun tjetër që po e quajmë tani dhe mediat shpella, aty gëlon ryshfeti, gëlon pengmarrja, aty përcaktojnë droga, krimi dhe bandat. Anëtarësia e PS nuk ka më asnjë zë tek qeveritarët e saj të ardhshëm. Ata nuk përfaqësojnë më anëtarësinë, as mbështetësit, ata përfaqësojnë sektin e Rilindjes që është sekt fund e krye anti-shqiptar, një përzierje e klaneve të drogës, krimit, e aferave të mëdha korruptive, kombëtare dhe ndërkombëtrare”. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share