Berisha: Mazhoranca nuk e përjashton dot popullin, kjo betejë është pa kthim!

As një orë nuk ka zgjatur seanca e sotme parlamentare, e cila në çdo moment të saj u shoqërua me debate mes deputetëve. Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur jashtë ambienteve të Kuvendit, duke theksuar se opozita po kërkon të drejtat e saj kushtetuese.

“Siç konstatoni, Edi Rama me akte të turpshme anti-ligjore, anti kushtetuese të Lindës së Parlamentit, bllokon jetën parlamentare të vendit. Opozita po bën këtu një betejë në emër të qytetarëve opozitarë dhe jo vetëm, në të cilën kërkon rivendosjen e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në Parlament. Siç dihet Edi Rama ka anuluar, ka pezulluar gjer tani përveç komisionit hetimor për inceneratorët, të gjithë komisionet e tjera hetimore.

Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore sepse vetë ai është flamuri i zi i korrupsionit në Shqipëri, ai favorizon dhe pasuron anëtarët e familjes së tij, e shoqja e tij ka ndërtuar pallatin 5 katësh, toka e Surrelit është marrë në kundërshtim flagrant. Edi Rama është personi për të cilën OSBE thotë se disponon fshehjen e 200 mln Eurove, është strumbullari kryesor i vjedhjes së shekullit e së fundmi po bëhet pronar me Alabbarin e tij duke vjedhur e përvetësuar mbi 1 mln metër katror truall publik. Ne po mbrojmë një të drejtë themelore, jemi dhe do vijmë këtu të vendosur të mbrojmë kushtetutën me çdo kusht.”

Teksa nuk komentoi përplasjen fizike mes deputetit Bledion Nallbati dhe Vullnet Sinës, Berisha paralajmëroi se ‘beteja e opozitës është pa kthim’.

“Mazhoranca mund të përjashtojë opozitën, por popullin nuk e përjashton dot. Është betejë pa kthim, hiqeni nga mendja! Jemi të vendosur të mbrojmë pluralizmin, nuk ka Parlament pa komisione hetimore”, përfundoi kreu i demokratëve./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share