“Rama, i tmerruar. Veliaj, mashtrues”
Sali Berisha kërkoi angazhim maksimal nga krerët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë për zgjedhjet lokale të 14 Majit, ditë që sipas tij do të shënojë fitoren e pluralizmit në vend.
“Të ndërgjegjësojmë çdo qytetar se hajdutët nuk votohen. Strukturat tona duhet të jenë të gjitha, nga mëngjesi deri në darkë në këtë betejë jetike për Tiranën dhe Shqipërinë. Takime derë më derë, kokë më kokë, me grupe të vogla, me anketa të vogla, në mënyrë që 14 Maj të jetë një ditë fitoreje për pluralizmin, të jetë fitore në Tiranë për Belind Këlliçin”, tha Berisha.
Në krah të Belind Këlliçit, i cili garon për Bashkinë e Tiranës në siglën e koalicionit “Bashkë fitojmë” Berisha dha edhe direktivat për të vetët, teksa paralajmëroi kundërshtarin e tij politik se do ta ketë opozitën përballë në betejën elektorale.
“Edi Rama është i tmerruar, të gjitha aktet që bëri do i kthehen në bumerang nga ne. Opozita do marrë pjesë dhe do fitojë në zgjedhje. Edi Rama duhet të marrë në këtë fushatë përgjigjen më të hidhur që meriton”.
Lum akuzash bëri ndaj Kryeministrit dhe kryebashkiakëve të majtë, duke u ndalur veçanërisht tek Erjon Veliaj.
“Nuk ka njeri më fals se Erion Veliaj. Ai nuk njeh Kushtetutë, njeh vjedhje”.
Ndërsa nga konferenca “E ardhmja e arsimit shqiptar përmes teknologjisë dhe informacionit”, Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit, i cili tha se po i jep të afërmve të tij përmes AKSHI-t tendera sekretë.
“Në këtë fushë, Edi Rama ka vendosur blackout të plotë. Agjencia më e korruptuar e Shqipërisë është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, e cila përdor qindra milionë euro të taksapaguesve me tendera sekrete. I bën me tendera sekretë se vjedh bashkë me të afërmit e Edi Ramës”.
Sipas kreut të demokratëve arsimi nën qeverisjen e Edi Ramës është në rrënim, ndaj lind si detyrë e Partisë Demokratike që të ofrojë një kthesë serioze në këtë sektor.
Tv Klan