“Rama, Vasal i Vuçiçit. Po zbaton ndarjen e Kosovës”
Shfaqja e veteranëve dhe mbështetësve të Partisë Komuniste me portretet e diktatorit Hoxha në varrezat e Dëshmorëve ka sjellë reagimin e Kryetarit të Partisë Demokratike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se ata festojnë nën kujdesin e qeverisë me portretet e Enver Hoxhës, ‘Hitlerit shqiptar të pasluftës’, babait shpirtëror të Edi Ramës, kryexhelatit të kombit shqiptar në Shqipëri dhe kryetradhtarit të Kosovës.
Në një tjetër shkrim të gjatë lidhur me debatin që prej vitesh ka përfshirë politikën sa i përket saktësisë së datës së çlirimit, Berisha, i cili njeh 28 Nëntorin si ditën zyrtare thotë se, vendi ka kaluar nga një pushtim i vjetër në një të ri.
Ai akuzon Kryeministrin Rama, se në një akt tradhtie po tenton përmes “Ballkanit të Hapur” të vërë në zbatim projektin e ndarjes dhe copëtimit të Kosovës, që sipas Berishës e lidh Shqipërinë në Aleancë Trelaterale Beograd-Shkup-Tiranë.
Për kreun e demokratëve, Edi Rama si vasal i Beogradit dhe Vuçiçit po zbaton në Shqipëri politikën e shpopullimit dhe shkombëtarizimit kombëtar.
Tv Klan