Berisha komenton krijimin e partisë “Djathtas 1912” nga ish-përfaqësues të lartë të PD-së

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë në lidhje me krijimin e partisë së re “Djathtas 1912”, prezantuar nga ish-përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike që i përkasin grupimit të Enkelejd Alibeaj.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha i quajti këta përfaqësues “biza antiopozitë të Ramës”, duke e nënkuptuar se krijimi i kësaj partie është një lëvizje që synon të dëmtojë opozitën në favor të kryeministrit Edi Rama, raporton euronews.al.

Në qëndrimin e tij, Berisha u shpreh i hapur për bashkëpunim me çdo forcë politike që ka si objektiv kryesor rrëzimin e Ramës nga pushteti, përmes krijimit të një qeverie teknike dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Së pari, për partitë si kjo e fundit që përmende ti, pozicioni im është i qartë,” tha Berisha. “Së dyti, për bizat antiopozitë të Edi Ramës që kanë dalë në skenë, pozicioni im mbetet i njëjtë. Partia Demokratike është e hapur për bashkëpunim dhe bashkim me çdo formacion politik që ka si qëllim largimin e Edi Ramës nga pushteti, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Berisha theksoi se vendimet për drejtimin e vendit duhet t’i takojnë vetëm shqiptarëve përmes zgjedhjeve të lira dhe jo individëve apo grupeve të veçanta.

Ai kritikoi çdo përpjekje për të emëruar kryeministrin e Shqipërisë jashtë vullnetit të zgjedhësve, duke e quajtur një sjellje “fondamentaliste” dhe “talebanike”.

“As Sali Berisha dhe as askush tjetër nuk mund të përcaktojë përveç shqiptarëve se kush do të udhëheqë vendin”, përfundoi Berisha.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share