Berisha: Kandidatët e Ramës me 2-3 emra, nuk përfaqësojnë mbështetësit e PS-së, por krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar pasditen e sotme kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Vorë, Indrit Hoxhën.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha nuk ka ngurruar që të hedhë akuza ndaj kandidatëve të PS-së për të cilët ka thënë se kanë 2-3 emra teksa ka shtuar se sipas tij, ato nuk përfaqësojnë mbështetësit e PS-së, por krimin, bandat dhe organizatat kriminale.

Sali Berisha: Indrit Hoxha dhe të gjithë kandidatët e koalicionit bashkë fitojmë, për herë të parë në 32 vite nuk janë kandidatë të kryetarit të partisë, as të kryesisë së partisë, janë kandidatë të vullnetit, votës dhe dinjitetit tuaj. E them këtë sepse për njeriun e lirë, kuptimi më i thellë i lirisë, dimensioni i saj më i parë është dinjiteti i njeriut.

Krahasoni Indrit Hoxhën dhe kandidatët e tjerë me kandidatët e partisë së Edi Ramës. Kandidatët e tjerë janë kandidatët që dolën pas mesnate në orën 1 të natës nga zyrat e PS-së, pa u pyetur asnjë socialist i vetëm. Kandidatët e tjerë janë kandidatë që mbajnë 2-3 emra, kudo që shkoj më dalin përpara ata. Kandidatët e tjerë janë kandidatë që qytetarët normalë nuk i pëlqejnë, i duan që të kenë 2-3 emra, do të thoshte Pal Tusha, kryetari i PS-së së Rubikut, do ti thoshte Ndrecës që me dajak u emërua kandidat për Mirditën.

Kandidatët e tyre pra nuk përfaqësojnë socialistët, nuk përfaqësojnë mbështetësit e PS-së, përfaqësojnë krimin bandat, organizatat kriminale, shtetërore dhe jo shtetërore dhe ky është dallim shumë i madh. Ky është një dallim madhor. Ndaj dhe siç jeni dëshmitarë, kudo nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, ka një epërsi morale të madhe nga ana e opozitës shqiptare.

Ka një epërsi morale të madhe nga kandidatët e lirisë dhe kjo ka sjellë një frymë fitoreje, të cilën Shqipëria nuk e ka pasur ndonjëherë më të fuqishme që nga viti 1992. Ju garantoj se Indrit Hoxha do të jetë një shërbëtor i përulur i juaj, me përkushtim të madh do të bëjë gjithçka për shërbimet më të mira ndaj banorëve të kësaj bashkie, do të bëjë gjithçka për menaxhimin më transparent të të gjitha burimeve dhe taksave tuaja. Por do të bëjë gjithçka, gjithashtu çfarë ka në dorë, çfarë ka në dorë më Këshillin Bashkiak të lehtësojë barrën tuaj, detyrimet tuaja të pamerituara ndaj shtetit dhe bashkisë.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka bërë thirrje që këtë muaj të bëjnë gjithçka për të bindur çdo qytetar që të bashkohet me to dhe t’i besojnë me votë në 14 Maj./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share