Berisha flet një ditë pas protestës: U dha leksioni më i mirë se çfarë është opozita

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, një ditë pas protestës së opozitës doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se mbrëmë u dha leksioni më i mirë se çfarë është opozita.

“Mbrëmë, ata (protestuesit) ishin zëri i njerëzve të heshtur, i njeriut të civilizuar që ngrihet kundër padrejtësive. Falënderoj të gjithë ata djem e vajza që mbrëmë iu përgjigjën vjedhje së shekullit të inceneratorëve me mosbindje civile”, nisi fjalën e tij Sali Berisha.

“Ju mbrëmë treguat se nuk ka më paqe me vjedhjen, me krimin e organizuar dhe dëshmuat se pa votën e lirë nuk ka paqe në Shqipëri. Jud je rizgjuat krenarinë shqiptare”, shtoi Berisha.

Ai shtoi se protestuesit dje zgjuan nga letargjia shqiptarët, që prej 12 vitesh kanë kafshuar gjuhën ndaj çdo poshtërsie dhe padrejtësie, që u është bërë.

“Por mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë i fillimit të ri, i fillimit të mosbindjes civile. Për Edi Ramën kam një thirrje: Opozita ka vetëm 1 javë në aksion. Me kaq ti, ke humbur parlamentin. Me kaq, institucionet e krimit, u dogjën nga flaka e revoltës… Reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as dhe të marrim pushtetin me forcë”, tha Berisha.

Ai shtoi se opozita kërkon vetëm qeveri teknike si mënyrën më të mirë, më demokratike, më të civilizuar për të garantuar zgjedhje të lira. “Dhe aty në zgjedhje të lira, le të shohim se kë votojnë shqiptarët. Pse ke frikë Edi Rama? Kur mendon se fiton, pse nuk krijon qeverinë teknike? Të bëj thirrje, edhe një herë Edi Rama, krijo qeverinë teknike. Sepse javët që vijnë, mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd”, theksoi më tej Berisha. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share