Berisha: Edi Rama është agjent influent rus

Ish-Kryeministri dhe kryetari i PD Sali Berisha e konsideron Kryeministrin Edi Rama agjent influent të Rusisë.

Kreu i selisë blu këtë deklaratë e bëri gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me gazetarët.

Këtë bindje, Berisha thotë se e ka duke analizuar qëndrimet dhe deklaratat politike të Kryeministrit Edi Rama.

“Ajo çka di unë me bindjen më të thellë dhe ndërgjegjien politike më të kthjellët, Edi Rama është agjent influent i Kremlinit. Njeriu që ndërmerr fushatë në Europë për të justifikuar mosrespektimin e sanksioneve të BE dhe NATO të Serbisë kundrejt Kremlinit, bën avokatinë e Kremlinit më shumë se të Vuçiçit. Dhe përpiqet të bindë botën se Serbia prapavijë e agresorit barbar rus është më mirë se sa të mos ishte e tillë. Edi Rama është agjent influent rus sepse me përkrahjen që i bën projektit të Ballkanit të Hapur përkrah atë Ballkan që ka përzgjedhur për ta përkrahur Vladimir Putin dhe Sergey Lavrov. Lavrov nuk e fshehu fare se ai përkrahte këtë Ballkan kundër Ballkanit të Brukselit. Ballkani i Brukselit është nisma e Berlinit”.

Ajo që di me siguri Berisha, është se Edi Rama ka linjë gjaku me Rusinë.

“Edi Rama është agjent influent. Agjenti influent mund të jetë njeriu që ka një influencë, ka një post me të cilin ka një influencë. Mund të jetë i rekretuar, por mund të mos jetë fare i rekrutuar. Vepron në të njëjtët linja politike. Është i rekrutuar apo jo Edi Rama unë nuk mund të them. Unë di linjën dhe lidhjen ruse të tij të sigurt gjaku, e ka gjaku, por unë më shumë nuk di. Di që i ati ka qenë në dosjen “Mitroklin”, por nuk di më shumë. Unë gjykoj nga deklaratat”.

Berisha thotë se ka disa kategori të agjentëve influentë.

“Pasi di që në përcaktimin e agjentëve influentë, kategoria e dytë e agjentit influent janë ata që nuk kanë firmosur, por ndikojnë me deklaratat dhe qëndrimet e tyre në interes të një fuqie tjetër. Ka një kategori të tretë të agjentit influentit, të cilët edhe këta nuk kanë firmosur, por që quhen idiotë të dobishëm. Nuk mund të them se Rama është idiot i dobishëm se idiot nuk është. Idioti i dobishëm është ai që thotë idiotësira dhe me idiotësitë e tij i shërben verbërisht dikujt tjetër pa qëllim fare por nuk e kupton se çfarë bën. I tillë nuk është Rama. Rama është kategori tjetër, është i vetmi Kryeministër në Europë që kërkon që Serbia të mos reflektojë sanksionet ndaj Putinit”, deklaroi Sali Berisha. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share