“PD, komision hetimor për McGonigal”
Sali Berisha këmbëngul se dokumenti që Rama i ka dorëzuar Macronit dhe Scholz e ku propozohet zgjidhje për ngërçin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe, është hartuar në Beograd.
Edhe pse thotë se nuk ka djeni për përmbajtjen e atij dokumenti dhe nuk është interesuar aspak për t’u njohur me të, kryedemokrati di qëllimin final përse Edi Rama është vendosur në shërbim të Aleksandër Vuçiçit.
“Çështja e Asocacionit nuk është çështje drafti. Draftin e Ramës, sigurisht e ka shkruar Vuçiçi dhe kjo është tani për t’i thënë Albin Kurtit se ti tani as këtë që ka hartuar Tirana, nuk e pranon.”
Në daljen e përjavshme përpara gazetarëve, Berisha lajmëron se selia blu do t’i kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “McGonigal” dhe lidhjet e tij me kryeministrin. Arsyet lidhen me zhvillimet që ka patur shqyrtimi i çështjes së ish-zyrtarit të lartë të FBI në 2 gjykatat amerikane.
“Gjykoj për 2 çështje kryesore veçmas: Për çështjen “Deripaska” dhe lidhjen ruse, për çështjen “Rama” dhe lidhjen shqiptare. Por zhvillimi dramatik është shumë thelbësor. Prokurori i SHBA kërkon shkrirjen e çështjeve në 1.”
Është kategorik kundër sa herë pyetet për t’u ulur në tryezë me Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibejan në funksion të bashkimit, por ripërsërit gadishmërinë për t’u ulur me çdo deputet tjetër të grupimit të tyre.
“Unë i ftoj ata që të ulen, të diskutojmë, të vendosim për më të mirën.”
Kryedemokrati u mor sërish gjatë me denoncimin e rasteve që sipas selisë blu, përbëjnë prova se zgjedhjet e 14 Majit ishin të manipuluara në pothuajse 61 bashkitë e vendit.
Tv Klan