Në një bashkëbisedim me fermerët në Kashar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e konsideron në rënie bujqësinë dhe blegtorinë.
Kreu i selisë blu akuzon qeverinë se nuk po i kushton vëmendjen e duhur këtij sektori të ekonomisë shqiptare.
“Ky sektor është në rrudhje, në rënie, në rrokullisje. Është jashtë çdo dyshimi sektori më i papërfillur nga qeveria, por mospërfillja është njëra anë, ndëshkimi është ana tjetër dhe ky është një nga sektorët më kryesor të ekonomisë tonë, që jep mbi 20% të PBB, që punëson mbi 50% të forcës punëtore të grave dhe 35% të burrave në vend. Sektor që në vend se të zhvillohet, të fuqizohet, të mbështetet ka një rënie të madhe me pasoja shumë të rënda për vendin.
Bujqësia është sektori i cili në të gjitha produktet e saj meriton dhe ka të domosdoshëm subvencionin. Subvencioni në bujqësi nuk është një humbje financiare, por është një histori fitimi për të gjitha palët, është histori fitimi sepse ai që merr subvencionin ndihmohet për një sukses më të madh, më të garantuar, mëkëmbja e tij është një interes direkt jo vetëm i familjes por i shoqërisë në tërësi. Është në interes të mbarë shoqërisë sepse prodhimi, sepse eksporti janë faktorë jashtëzakonisht të rëndësishëm në krijimin e balancave për një ekonomi të qëndrueshme”.
Sali Berisha thotë se qeveria sillet si pushtues me fermerët duke mos i mbështetur përmes sistemit fiskal.
“Kjo qeveri mban një qëndrim armiqësor ndaj fermerëve dhe bujqësisë. Mund t’ju duket i ashpër ky term, por jo nuk është, sepse nëse ai në sistemin fiskal ndëshkon fermerët, ai sillet me ta si një pushtues, jo si institucion i ligjit, nuk respekton ligjin, nuk respekton ato parime që janë të domosdoshme për një shtet ligjor. Ndërprerja e subvencioneve është njëra anë, por kjo vendos fermerët shqiptarë në kushte të pabarabarta me fermerët e vendeve përreth, për të mos thënë me fermerët e BE. Taksimi i njëanshëm me TVSH përbën një ndëshkim tjetër madho për fermerët. Mungesa e stimulit për eksportet është një akt tjetër i papërgjegjshëm i kësaj qeverie”. /tvklan.al