Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp, ka hedhur akuza ndaj emërimit të Taulant Ballës si ministër i Brendshëm. Sipas Berishës, Balla është politikani më i inkriminuar.
“PD deklaron se Taulant Balla është politikani më i inkriminuar, më i akuzuar në 32 vite për lidhje konkrete, direkt të fuqishme me trafikun e drogës, vrasjet mafioze dhe krime të tjera. Balla është politikani i akuzuar publikisht dhe me dokumente zyrtare si deputet që ka të regjistruar mbi 50 udhëtime me pasaportën e tij diplomatike jashtë vendit, për mburojë të veprimtarisë së supertrafikantit ndërkombëtar dhe njërit prej eksponentëve kryesorë të Bandës së Lushnjes, Edmond Begos.
Balla është politikani kryesor i akuzuar me zë dhe figurë në sallën e gjyqit se është ai i implikuar në masakrën e Elbasanit të vitit 2016, ku në përleshje mes bandave rivale u vranë 3 persona dhe u plagosën shtatë anëtarë. Po në sallën e gjyqit ai është denoncuar si njeriu që ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gurra, pasi ai kishte në dorë dhue do i publikonte regjistrimet zyrtare që provonin implikimin e Taulant Ballës në lidhje me masakrën e Elbasanit.
Ministri i ri i Brendshëm i Edi Ramës, Taulant Balla, është i faktuar se në zgjedhjet prillit 2021, më datë 21 prill kishte angazhuar për blerjen e votave në Elbasan, trafikantin Mehmet Greca, të dënuar me 7 vite në Britani për trafik kokaine. Ai bashkë me prokurorin Shehu dhe Ardi Veliun, manipuluan ngjarjen ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë në Elbasan.
Balla është i lidhur direkt me veprimtarinë ekonomike kriminale dhe fitimit të qindra milionë lekë publike nga kompania e Gentian Sharrës, bashkëpunëtor i Talo Çelës dhe pjesëmarrës në masakrën e vitit 2016 dhe grabitjen e Rinasit”, tha Berisha.
Sipas Partisë Demokratike, me këtë emërim, Rama e dorëzon në mënyrë përfundimtare rendin dhe sigurinë në duart e bandave të krimit të organizuar.
“PD deklaron se Edi Rama, duke emëruar në krye të rendit, Taulant Balla, eksponentin kryesor në politikë të lidhur me krimin, drogën, vrasje, e dorëzon në mënyrën përfundimtare rendin në duart e bandave të krimit të organizuar. Edi Rama po i garanton organizatat kriminale dhe lidhjet e tij të faktuara me kartelet e Sinaloas se Shqipëria do jetë parajsa e trafiqeve dhe larjes së parave”, tha Berisha./tvklan.al