I dyshuari kryesor për sulmet terroriste që supozohej të ndodhnin në koncertet e yllit të popit amerikan Taylor Swift pranoi se kishte planifikuar krimin, njoftuan sot autoritetet austriake.
19-vjeçari i cili u arrestua dje në Ternitz, siç u raportua më herët, është shtetas i Austrisë, me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Ai quhet Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari, mëson “360 stepeni”.
“360 stepeni” njofton se informacionin e ka verifikuar nga tre burime të pavarura, të cilët kanë akses në dokumente konfidenciale.
Përveç tij janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, njëri 17-vjeçar dhe tjetri 15-vjeçar.
Siç shpjegoi drejtori i përgjithshëm austriak i Sigurisë Publike Franz Ruf në konferencën e sotme për shtyp, së bashku me ministrin e Brendshëm Gerhard Karner dhe drejtorin e Drejtorisë së Sigurisë Shtetërore dhe Inteligjencës Omar Haijawi-Pirchner, i dyshuari i parë synonte të kryente sulmin me eksploziv, por dhe duke përdorur armë të ftohta./tvklan.mk/