Beograd: Pa incidente në natën e tetë të protestave të opozitës serbe

STUDENTËT MBËSHTESIN KOALICIONIN OPOZITAR “SERBIA KUNDËR DHUNËS”

Në Beograd është mbajtur protesta e tetë me radhë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”. Opozita serbe pretendon se në zgjedhjet e 17 dhjetorit ka pasur parregullsi.

Protesta nisi para ndërtesës së Komisionit Zgjedhor Republikan, për të përfunduar para ndërtesës së Policisë së Beogradit, ku protestuesit kishin bërë përpjekje që të futen në ndërtesën e policisë për t`i vizituar 38 të arrestuarit e një nate më parë.

Për dallim nga e diela, protesta e mbrëmshme ka kaluar pa incidente.

Gjatë së hënës kanë protestuar edhe studentët duke kërkuar hapjen dhe revizionin e listës zgjedhore

Me bllokimin gjashtë orësh të disa rrugëve të Beogradit, studentët mbështesin koalicionin “Serbia kundër dhunës” që në protesta bën thirrje që të përmbushet kërkesa e tyre për anulimin e zgjedhjeve për shkak të parregullsive të shumta.

Ndërkohë, në zhvillimet paszgjedhore në Serbi është implikuar edhe Rusia.

Autoritetet ruse kanë akuzuar vendet e perëndimit për nxitjen e protestës së opozitës serbe, kurse autoritetet e Beogradit kanë falënderuar shërbimet e Moskës për informacionet rreth përgatitjes së incidenteve në Beograd.

Fitorja e partisë së Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet e 17 dhjetorit, për momentin është duke kaluar pa urime zyrtare nga vendet e perëndimit. Fitoren Vuçiqit ia kanë uruar vetëm disa vende të bllokut lindor. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share