Paralajmërohet bllokimi i fondeve Europiane
Gazeta Kathimirini shkruan se Kryebashkiaku i ri i zgjedhur i Himarës mbahet prej muajsh në paraburgim dhe për pasojë nuk ka mundur të bëjë betimin. Autoritetet greke shprehen se ky proces është i motivuar politikisht sepse Shqipëria ka shkelur të drejtën e gjykimit të drejtë dhe prezumimit të pafajësisë. Redaktori diplomatik Vassilis Nedos duke iu referuar diskutimeve të brendshme në qeverinë greke pas dështimit në bisedimet me homologët shqiptare thekson se në fillim të muajit Dhjetor në mbledhjen e Këshillit Evropian kryeministri Mitsotakis mund të vendosë veton duke kërkuar ngrirjen e ndihmës financiare ekonomike për Shqipërinë. Edhe zv. presidenti i KE-së Margaritis Schinas u shpreh në Radion e Selanikut për këtë çështje:
“Ja kam bërë të qartë Komisionerit Oliver Varhelyi si përgjegjës për zgjerimin e BE-së se nëse çështja nuk zgjidhet, procesi i integrimit të Shqipërisë nuk duhet qe të vazhdojë. Ndalimi i z. Beleri përbën shkelje të prezumimit të pafajësisë sepse pengon një përfaqësues të zgjedhur në mënyrë demokratike një pjesëtar të minoritetit etnik grek në Shqipëri që të betohet dhe që të ushtrojë detyrën.
Si një përkrahës prej kohësh i perspektivës evropiane të Shqipërisë, shpresoj që autoritetet shqiptare të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e shpejtë të çështjes. Nëse kjo nuk ndodh, unë shoh një rrezik serioz që kjo çështje do të ndikojë negativisht në vlerësimin e përgjithshëm të progresit dhe angazhimit të Shqipërisë në rrugën e duhur për t’u bërë një anëtar me të drejta të plota i BE-së.”
Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbylli më herët hetimet në ngarkim të Belerit, duke e çuar dosjen për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin.
SPAK thekson se, nga analiza rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 Eurosh për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14 Maj.
Ndërkaq, vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 Euro.
Beleri ia ka dhënë shumat monetare Ramës nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv.
Ky i fundit i ka dhënë Ramës tetë kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit.
Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare.
Klan News