“Hartimi i Rrugës drejt Prosperitetit: Strategjitë EcoFin për zhvillim në Ballkanin Perëndimor” ishte paneli ku në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog, foli Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, përcjell KlanM.
Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, thotë Bekteshi, pasi sipas tij, çdo vend është në fazë të ndryshme, por duhet të ketë një perspektivë të qartë duke krijuar lidhje më të forta me institucionet e BE-së.
“Rritja e bashkëpunimit rajonal është gjithashtu thelbësore për të shfrytëzuar kapacitetet e rritjes dhe zhvillimit të rajonit. Mbështetja e BE-së mirëpritet si mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve, aksesin në financa, rrjetëzimin dhe hapjen e mundësive për partneritete me partnerët e BE-së. Qasja në BE do të jetë shumë e vështirë, sepse ne nuk mund ta bëjmë atë përparim të madh pa mbështetjen e vendeve të BE-së. Është e rëndësishme që qytetarët të kenë barazi për të gjitha mundësitë”, tha në panel ministri Bekteshi.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë nga vendet e BE-së, sipas Bekteshit, dhe siç përcjell KlanM, kjo është gjithashtu thelbësore për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Ne nuk mund të punojmë vetëm për mbijetesë, por ne duhet të krijojmë dhe të përparojmë. Objektivat tona janë sektorët strategjik që kanë nevojë për reforma strukturore, si dhe për të mbështetur inovacionin dhe nxitësit e biznesit bazuar në domenet e specializimit”, deklaroi Bekteshi./KlanMacedonia