NUK NDRYSHON ÇMIMI I ENERGJISË ELEKTRIKE
Deri në fund të muajit Prill është afati për marrjen e vendimit për ofertën më të favorshme të dorëzuar nga thirrja për përzgjedhjen e furnizuesit universal të energjisë elektrike dhe për propozimin që do të dorëzohet në Qeveri, këtë e bëri të ditur për mediat Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Ai shtoi se nuk pret ndryshime në çmimin e energjisë elektrike as pas 1 korrikut, kur duhet të ketë një furnizues të ri universal.
“Për furnizuesin universal siç di unë janë pranuar tri oferta, procedura është në vazhdim e sipër, komisioni është duke punuar dhe ka afat që deri në fund të prillit të marrë një vendim të duhur për t’ia propozuar Qeverisë, se cila është oferta më e mirë e cila është dhënë nga ofruesit në pajtim me kriteret dhe qytetarët gjithsesi do të kenë një furnizues universal brenda afatit të paraparë” – tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Sa i përket ankesave për faturat e larta, ai theksoi se çmimet janë shumë transparente dhe të publikuara nga Komisioni Rregullator i Energjisë dhe nuk beson se ka rritje të çmimeve më shumë se sa është përcaktuar. Bekteshi po ashtu njoftoi se Ministria e Ekonomisë do të japë mbi 7.000 vauçerë për inverterë në suaza të masës për rritjen e efikasitetit energjetik. Ai shtoi se për këtë masë qytetarët do të mund të aplikojnë që nesër.
“Në pajtueshmëri me programin për mbrojtjen e kategorive të ndjeshme të konsumatorëve të energjisë, personat me të ardhura të ulëta deri në 21 000 denarë, familjet dy anëtarëshe me të ardhura mujore deri në 30 000 denarë dhe familjet me tre anëtarë me të ardhura deri në 35 000 denarë do të mund të marrin vauçer në vlerë prej 27 000 denarë në vlerë bruto për një amviseri me TVSH të përfshirë për një familje, për të blerë dhe montuar inverterë me efikasitet të lartë” – tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Bekteshi ka shtuar se personat me të ardhura të ulëta për familje katër anëtarëve të cilat kanë të ardhura deri në 40 mijë denarë dhe familjet me pesë dhe më shumë anëtarë që kanë të ardhura të përgjithshme deri në 45 000 denarë do të mund të marrin vauçer për të blerë inverter në vlerë deri në 30 000 denarë. Mjetet e përgjithshme për realizimin e kësaj programe janë 45 milionë denarë ose 73 mijë euro. /tvklan.mk/