Bashkimi Europian ka folur mbi draft-statutin e propozuar së fundit, në të cilin përmendet themelimi i Asociacionit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë për transmetuesin publik, se në tryezë është prezantuar një propozim i ri i balancuar evropian, transmeton klankosova.tv.
”Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re”.
Siç ka theksuar ai për RTK, pala kosovare dhe ajo serbe, kanë sinjalizuar gatishmëri që parimisht ta pranojnë këtë propozim.
”Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë ‘parimisht’ për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme”, tha Stano.
Tutje BE thotë se dokumenti i dorëzuar nuk është publik.
”Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim dhe ne asnjëherë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e medieve që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”, shtoi Stano.
Ndryshe, ditë më parë në media rrodhën materiale për të cilat pretendohet se janë pjesë të draft-statutit të Asociacionit të propozuar.