BE nënshkruan marrëveshje prej 7.4 miliardë Eurosh me Egjiptin

Partneritetit strategjik tre-vjeçar synon rritjen ekonomike të vendit dhe shmangien e një krize tjetër emigracioni

Udhëheqësit e BE-së kanë nënshkruar një marrëveshje prej 7.4 miliardë Eurosh me Egjiptin, për të ndihmuar në rritjen ekonomike si dhe për të shmangur një krizë tjetër migracioni në Evropë.

Marrëveshja përfshin 5 miliardë Euro ndihmë makro-financiare, 1.8 miliardë Euro investime dhe 600 milionë Euro grante gjatë tre viteve të ardhshme për të mbështetur ekonominë e Egjiptit. Partneriteti strategjik u njoftua ndërsa një delegacion liderësh vizitoi Kajron dhe synon të nxisë gjithashtu bashkëpunimin edhe në fusha të tjera duke përfshirë energjinë e rinovueshme, tregtinë dhe sigurinë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila drejtoi delegacionin, e përdori rastin duke ripërsëristur thirrjen për një armëpushim në Gaza.

“Gjatë katër viteve të ardhshme së bashku do të punojmë në angazhimet tona për të promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta. Por ne gjithashtu takohemi në një kohë krize të thellë. Ne jemi të gjithë jashtëzakonisht të shqetësuar për luftën në Gaza dhe situatën katastrofike humanitare. Jemi shumë të shqetësuar për rreziqet e një ofensive në shkallë të plotë në Rafah që do të ishte shkatërruese për popullatën civile të cënueshme.”

Gjashtë liderë të BE-së bënë një udhëtim në Kajro pas bisedimeve diplomatike intensive dhe efektive midis BE-së dhe Egjiptit në muajt e fundit. Qeveritë evropiane kanë qenë prej kohësh të shqetësuara për rrezikun e destabilitetit në Egjipt ku vështirësitë ekonomike kanë shtyrë njerëzit të emigrojnë vitet e fundit.

Inflacioni ka qenë afër niveleve rekord megjithatë, gjatë muajit të kaluar, presioni financiar ndaj qeverisë është zbutur pasi Egjipti ka arritur një marrëveshje me Emiratet, ka zgjeruar programin e tij të kredisë me FMN-në dhe ka zhvlerësuar ndjeshëm monedhën e tij.

Ky pakt është pjesë e përpjekjes së fundit të bllokut për të ndaluar refugjatët të kalojnë Mesdheun, por është shumë më e gjerë në shtrirje sesa marrëveshja e vitit të kaluar me Tunizinë prej 150 milionë Eurosh. Greqia dhe Italia janë veçanërisht të shqetësuara për rrezikun e një krize tjetër refugjatësh si nga Gaza ashtu edhe në Egjipt, i cili pret rreth 9 milionë refugjatë, duke përfshirë 4 milionë nga Sudani dhe 1.5 milionë sirianë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin e OKB-së.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share