Vuçiç: Muajt e ardhshëm s’do të jenë të lehtë
Në kohën kur kanë mbetur edhe pak ditë që nis muaji shtator janë shtuar edhe përpjekjet e ndërkombëtarëve për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Është vet emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak që ka shtuar aktivitetet e tij në këtë drejtim ndërsa ka paralajmëruar mbajtjen e një takimi në nivel të lartë.
Pas takimit që zhvilloi në Bled të Sllovenisë me kryeministrin Albin Kurti ai ka shkruar në platformën “X” se kanë diskutuar për përgatitjet e takimit të radhës.
Lajçak ka paralajmëruar se do të vizitojë edhe Beogradin.
E presidenti serb, Aleksandar Vuçiç thotë se nuk do ta ketë të lehtë. Pret presion të madh për Kosovën në muajt e ardhshëm.
“Pres më shumë presion dhe kërcënime dhe zbatim të atyre kërcënimeve në Kosovë nga ata që janë të pamjaftueshëm përgjegjës dhe nuk e kuptojnë se paqja nuk është vetëm në interes të serbëve, por edhe të shqiptarëve. Duket se muajt në vazhdim nuk do të jenë të lehtë.”
Se situata në veri dhe rikthimi i palëve në dialog është lart në axhendën e Lajçak e konfirmon edhe fakti i takimit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar me të cilin kanë diskutuar për aktivitetet dhe pritshmëritë gjatë muajve të ardhshëm rreth situatës aktuale në Kosovë.
Tv Klan