BE-ja s’ka ende datë për takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel

Bashkimi Evropian s’ka ende datë të caktuar për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Bashkimi Evropian kanë thënë se për çdo takim të dialogut do të ketë një njoftim.

“Çdo takim dialogu do të njoftohet në kohën e duhur”, thuhet shkurtimisht në përgjigjen e BE-së për Reporteri.net.

E, në një takim të radhës, emisari sllovak, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar se do të diskutohet për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.

Për këtë të fundit, Bashkimi Evropian vazhdimisht ka deklaruar se ajo do të ndodhë përmes dialogut.

Por, deklaratës së Lajçakut i ishte përgjigjur Kurti duke thënë se s’ka gatishmëri ta diskutojë këtë çështje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, pasi sipas tij ridiskutimi i marrëveshjes së dakorduar është shkelje e saj.

Takimi i fundit i nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, ishte ai në fund të muajit qershor, për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, pas ngjarjeve në Banjskë, të shtatorit të vitit të kaluar, por që një trepalësh s’ndodhi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share