“Njohja zyrtare e Kosovës si shtet është etapa e fundit e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të vijë që në fillim. Fillimisht mund të flasim për akomodim të njohjes.“ Kështu është shprehur një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian për Tv Klan lidhur me sfidën që deklarata e 26 tetorit e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë i bën Serbisë duke i kërkuar të proçedojë me formalitetet për njohjen de facto të Kosovës për herë të parë në një dokument publik. Sipas zyrtarit të lartë të BE-së, në terma diplomatike, njohja e Kosovës si shtet do të thotë njohje zyrtare, ndërkohë që përgatitja e terrenit për t’a bërë njohjen e Kosovës të duket si e tillë është diçka tjetër.
“Ka hapa që e bëjnë njohjen e Kosovës në terma praktikë funkisonale, si njohja e kartave të identitetit, të targave tê automjeteve, lëvizja midis kufinjve, përfaqësimi i jashtëm. Dhe ne e kemi diskutuar në Ohrid dhe vende të tjera, se përveç përfaqësimit në OKB dhe njohjes nga shtetet anëtare, do tê ketë shumë elementë që do jenë pjesë e njohjes zyrtare, kur ajo të vijë. Pra, në terma praktikë, është një proces që mund të bëhet njohje e Kosovës, por njohja e plotë është pika e fundit e procesit” është shprehur zyrtari i BE-së. Sipas tij, është shumë e vështirë të deryrosh Serbinë të njohë Kosovën si shtet ndërkohë që ka pesë shtete të Bashkimit Europian që nuk e njohin.
Zyrtari i lartë i BE-së ka nënvizuar, se njohjes së Kosovës nga Serbia duhet t’i paraprijë njoha e pesë shteteve të Bashkimit Europian, pa shpjeguar nëse do të ketë një inisiativë nga BE-ja si në rastin e Malit të Zi. Ai është ndalur te rrethi vicioz në të cilën ndodhet dialogu Prishtinë-Beograd është, se njëra palë është e gatshme që të firmosë marrëveshjen e Brukselit dhe jo t’a zbatojë, ndërkohë që pala tjetër është e gatshme që të zbatojë marrëveshjen, por jo t’a firmosë, sepse kjo do të thotë njohje. Sipas tij, pika kyçe është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjes së Ohrit dhe jo domosdoshmërisht firmosja e tyre.
Erisa Zykaj Tv Klan Bruksel