BE-ja mohon se propozimi i Kurtit ishte i vetmi në tavolinë

Burimet e Bashkimit Evropian i kanë hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel, vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, duke theksuar se BE-ja ka paraqitur para palëve një plan të saj për implementimin e sekuencuar.

Të enjten u mbajt raundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

Duke rikujtuar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja e ka dorëzuar propozimin e kompromisit që implementimi të shkojë paralelisht, burimet e BE-së kanë thënë se qysh në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe për të kishte pasur deri me tash shtatë raunde të takimeve të ndara me palët.

Prandaj, thonë këto burime, pohimi i kryeministrit Kurti se propozimi i tij ka qenë i vetmi në tavolinë, është “thjesht i pasaktë”.

Dokumenti, në të cilin thirren burimet e BE-së përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.

Paralelisht, Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës, apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.

Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.

Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.

Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.

Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.

“Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë” do ta përbënte hapin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.

Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për implementimin e neneve të marrëveshjes. Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.

Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.

Ky dokument në të cilin thirren burimet e BE-së, mban datën e 19 korrikut të këtij viti.

Takimi i së enjtes mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, u mbajt me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Lajçak.

Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.

Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share