BE-ja kërkon ndarjen e çmimit të gazit dhe të rrymës

FON DER LAJEN: BURSA PËR RRYMËN ËSHTË E PAPËRSHTATSHME PËR KUSHTET E SOTME

Përkeqësimi i krizës energjetike në Evropë kërkon intervenim urgjent që të ulen çmimet gjithnjë e më të larta në tregun e rrymës, ka deklaruar Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Fon der Lajen. Çmimet e larta rekorde të gazit dhe restriksioni gjithnjë më i madh i  furnizimit për vendet e Bashkimit Evropian e ka detyruar bllokun të thirrë mbledhje të jashtëzakonshme, më 9 shtator, për menaxhim të problemit. Këtyre ditëve çmimi për një megavat orë ka arritur 340 euro, ndërsa para një viti ishte 27 euro.

Komisioni Evropian për momentin punon për masa urgjente për reforma strukturore në bursën e rrymës. Presidentja Ursula Fon Der Lajen, në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, sqaroi se është i nevojshëm model i ri dhe funksional i tregut të energjisë elektrike, i cili do t’u përshtatet kushteve aktuale.

“Çmimet e larta rekorde të energjisë elektrike, për arsye të ndryshme, i kanë treguar kufizimet në bursën tonë aktuale të rrymës. Tregu është krijuar në rrethana krejtësisht të ndryshme dhe për qëllime krejtësisht të ndryshme. Për këtë arsye në këtë moment nuk i përshtatet qëllimit të tij” – deklaroi Ursula Fon der Lajen

Bursa për momentin punon në bazë të çmimeve margjinale, që do të thotë se prodhuesit e energjisë elektrike, pavarësisht nëse punojnë me lëndë djegëse fosile ose me diell dhe erë, ofrojnë rrymë në bursa sipas çmimit të prodhimit. Oferta fillon nga burimet më të lira – burimet e rinovueshme, ndërsa përfundon me më të shtrenjtat, siç është gazi. Duke qenë se shumica e vendeve evropiane ende mbështeten në lëndë djegëse fosile që t’a plotësojnë kërkesën e përgjithshme, çmimi final i rrymës formohet në bazë të çmimit të gazit. Në qoftë se çmimi i gazit rritet, në mënyrë të pashmangshme rriten edhe faturat e rrymës, madje edhe nëse bëhet fjalë për rrymë nga burime të pastra. Ky sistem është themeluar me qëllimin që ta promovojë kthimin kah burimet e pastra të energjisë, por që nga fundi i vitit 2021 është objekt i kritikave të ashpra. Invazioni rus në Ukrainë i ka shfaqur anët më ekstreme të bursës aktuale, duke i përforcuar kërkesat për ndihmë shtetërore dhe reforma thelbësore. Spanja, Portugalia, Greqia, Italia dhe Belgjika janë në mesin e vendeve që kërkojnë ndarje të çmimit të gazit nga çmimi i rrymës, që t’i jepet fund ndikimit të ndërsjellë. Presidenca çeke me BE-në tashmë ka caktuar takim më 9 shtator, për menaxhimin e krizës energjetike në kontinent.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share