Brukseli kritikoi ashpër lidershipin e ri maqedonas për shkeljen e marrëveshjes së Prespës duke mos e përdorur në deklarimet e tyre emrin kushtetues Maqedonia e Veriut. Zëdhënësja Ana Pisonero i kujtoi Mickovskit se përveç marrëveshjes me Greqinë për emrin, duhet që të respektohet edhe zotimi i dhënë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar presidentin dhe qeverinë e re maqedonase që të mos shkelin marrëveshjen e prespesë me Greqinë duke mos përdorur emrin kushtetues Maqedonia e Veriut. Zëdhënësja Ana Pisonero i kujtoi Mickovskit se përveç marrëveshjes me Greqinë për emrin, duhet që të respektohet edhe zotimi i dhënë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria.
”E uruam kryeministrin Mickovski për qeverinë e re. Ne do të punojmë ngushtë me ta për të përshpejtuar axhendën e reformave integruese sepse ky vend duhet të përfitojë nga momenti i favorshëm në procesin e integrimit. Para së gjithash, Maqedonia e Veriut duhet që t’i përmbahet angazhimit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese sa më shpejt që të jetë e mundur për të ecur përpara me negociatat” – tha Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së.
”Na vjen keq për deklaratat e fundit për mospërdorimin e emrit kushtetues Maqedonia e Veriut nga disa prej liderëve të këtij vendi. Është e qartë se ata duhet t’i përmbahen asaj që është rënë dakord në kuadër të marrëveshjes së Prespës. Është e qartë se BE-ja kërkon që palët të respektojnë çdo pjesë të kësaj marrëveshjeje me mirëbesim” – tha Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së.
Komisioni Evropian shpreson që Maqedonia e Veriut të nisë sa më shpejt bisedimet e anëtarësimit me BE-në, duke iu referuar mosmarrëveshjeve dypalëshe me Bullgarinë dhe Greqinë, si dhe Shqipërinë dhe Greqinë. Brukseli përsëriti qëndrimin e tij se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të vonojnë procesin e anëtarësimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor. /tvklan.mk/